Pas sukseseve të treguara gjatë operacionit të kërkim-shpëtimit në zonat e prekura nga tërmeti në Türkiye, Kontingjenti i FSK-së u kthye më 20 shkurt në Kosovë, duke përmbyllur me sukses edhe një mision fisnik në shpëtimin e jetëve nga tragjedia në Türkiye.
“Ekipet e Kërkim-Shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjatë operacionit të kërkim-shpëtimit treguan profesionalizëm, përkushtim dhe përfomancë të lartë që rezultoi me shpëtimin e katër jetëve të qytetarëve të Republikës së Türkiyes”, thotë FSK-ja.
Për t’i përgëzuar për kontributin, angazhimin dhe suksesin e treguar gjatë këtij operacioni, në aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës, kontingjentin e FSK-së e priti kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti, ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj së bashku me Komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, si dhe ambasadori i ri i Türkiyes në Kosovë.
Me këtë rast Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës pjesëtarët që u kthyen nga Türkiyes i shpërbleu më Mirënjohje me motivacion “Shpëtoj Jetë”.
Edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dekoroi me Medaljen Presidenciale Ushtarake për sakrificën dhe solidaritetin e jashtëzakonshëm kontingjentin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) të cilët ishin pjesë e operacionit të kërkim-shpëtimit pas tërmetit shkatërrues të 6 shkurtit në Türkiye.
Në një ceremoni e cila u mbajt në hollin e Kuvendit të Kosovës, Osmani tha se ushtarakët kosovarë u përfshinë në operacionet e kërkim-shpëtimit duke punuar pa u lodhur për t’i gjetur të mbijetuarit dhe duke ofruar ndihmë mjekësorë për ata në nevojë.
“Ushtria jonë njihet për trimërinë dhe shërbimin e saj ndaj shtetit, por është e dëshmuar për të shërbyer edhe për popujt vëllazërorë dhe miq në raste të jashtëzakonshme, siç ishte edhe rasti me tërmetin në Shqipëri e këto ditë edhe me tërmetet në Türkiye dhe Siri”, theksoi Osmani.
Osmani tha se dokorata e Medaljes Presidenciale Ushtarake për këtë kontingjent të cilën e pranoi komandanti i kontingjentit Egzon Syla, është vlerësim ndaj përpjekjeve dhe përkushtimit të tyre të palodhshëm për t’u shërbyer qytetarëve pa dallim përkatësie.
Tutje, presidentja kosovare u tha ushtarëve se ata kanë demonstruar më të mirën e ushtrisë kosovare dhe puna e tyre pasqyron “vlerat më të larta të kombit tonë”, ndërsa theksoi se ushtria kosovare do të vazhdojë të ofrojë ndihmë dhe mbështetje humanitare për të prekurit nga termeti në Türkiye.
Ambasadori i Türkiyes në Kosovë, Sabri Tunç Angılı, tha se kontingjenti i FSK-së punoi në rrethana shumë të vështira me trimëri dhe duke shpëtuar edhe jetëra njerëzish.
Angılı tha se “jemi mirënjohës për popullin e Kosovës për ndihmën e ofruar për ne si materialisht, ashtu edhe moralisht”.
“Ky akt i mbështetjes tregon edhe një herë se miqësia dhe vëllazëria mes vendeve tona është e fuqishme dhe mjaft solide”, theksoi ambasadori Angılı.