Ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias, gjatë vizitës zyrtare në Beograd, tha se vendi i tij mbështet dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ligjërisht obligative.
Dendias pas takimit me homologun serb Ivica Daçiq tha se të gjitha marrëveshjet e nënshkruara më parë duhet të zbatohen plotësisht.
Ai tha se po udhëton për në Prishtinë dhe atje do të përsërisë atë që tha në Beograd dhe theksoi se Greqia vazhdon të mbështesë rrugën evropiane të Serbisë.
"Ne besojmë se Serbia është pjesë integrale e Bashkimit Evropian, Serbia ka një vend në BE dhe ne do të vazhdojmë ta mbështesim atë rrugë. Është e nevojshme të shfrytëzohet ky moment për të afruar gjithë rajonin me BE-në dhe ne duhet të mos lejojmë që palët e treta të keqpërdorin vonesën në atë afrim. Ne besojmë se i gjithë gadishulli ballkanik duhet të ketë një të ardhme të përbashkët”, tha Dendias.
Ai theksoi se është i bindur se Serbia do të vazhdojë reformat në rrugën evropiane, duke theksuar se marrëdhëniet bilaterale janë shumë të mira.
Ai tha se me Daçiqin ka diskutuar për organizimin e samiteve trepalëshe Greqi-Serbi-Maqedoninë e Veriut dhe takime mes Greqisë, Shqipërisë dhe Serbisë.
Duke folur për situatën në Kosovë, Daçiq ka theksuar se është në interes të Serbisë të ruajë paqen dhe të zhvillojë një dialog për çështjet kontestuese.
“Interesi i Serbisë është që të parandalojë të gjitha incidentet eventuale jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon”, tha Daçiq.
Ai theksoi se Serbia dëshiron të jetë faktor i paqes dhe stabilitetit në rajon dhe falënderoi Greqinë për mbështetjen e integrimeve evropiane dhe integritetit territorial të Serbisë, si dhe për qëndrimin parimor kur bëhet fjalë për Kosovën.