Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka deklaruar se ka tendencë të qartë që të destabilizohet veriu i Kosovës përpara zgjedhjeve të 23 prillit. Ai për KosovaPress ka theksuar se shtyrja e dytë e këtyre zgjedhjeve është e paarsyeshme. Sipas tij, institucionet duhet të kryejnë detyrat dhe obligimet e tyre ligjore e kushtetuese.
Kreu i legjislativit u ka bërë thirrje për qetësi të gjithë qytetarëve që jetojnë në veri të Kosovës, me apel që të mos bien pre e veprimeve të cilat sipas tij dirigjohen nga Serbia.
“Meqenëse edhe zgjedhjet po afrohen tash, pra pas dhjetë ditëve është data e zgjedhjeve, nuk janë të rastësishme të gjitha këto që po ndodhin, meqë është një tendencë e qartë që të destabilizohet ajo pjesë e vendit, përpara zgjedhjeve të 23 prillit. Me qëllim që të delegjitimohet i gjithë procesi, që edhe në anën tjetër të krijohet përshtypja e rrejshme, por me mjete të dhunshme që pa Listën Serbe edhe pa këto struktura nuk ka qetësi dhe paqe në pjesën e veriut të Kosovës”, ka deklaruar Konjufca për KosovaPress.
Sipas tij, institucionet e Kosovës duhet të argumentojnë se në vend funksionon rendi, ligji dhe Kushtetuta.
Më 10 prill një qytetar i komunitetit serb ka mbetur i plagosur. Si rezultat i hetimeve të pandërprera dhe i angazhimeve të njësiteve policore në vendin e ngjarjes, Policia e Kosovës ka suspenduar katër zyrtarë policorë.
Më 23 prill pritet të mbahen zgjedhjet në katër komunat e veriut të Kosovës. Zgjedhjet vijnë pasi serbët e Kosovës u tërhoqën nga të gjitha institucionet shtetërore vitin e kaluar, përfshirë edhe pushtetin lokal. Në zgjedhje e caktuara për më 23 prill nuk merr pjesë Lista Serbe, njëra prej partive përfaqësuese të serbëve të Kosovës.