Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borell, emëroi 44 shefa të delegacioneve, shefa të zyrave, të ngarkuar me punë të Bashkimit Evropian për rrotacionin e ardhshëm diplomatik në Delegacionet e BE-së në mbarë botën.
Në mesin e emërimeve të reja të Borellit është edhe emisari i deritashëm i dialogut Kosovë-Serbi, Mirsolav Lajçak, i cili është nominuar si ambasador i BE-së në Zvicër.
“Mirosllav Lajçak është nominuar si ambasador i BE-së në Zvicër. Ai aktualisht është duke shërbyer si Përfaqësues Special i Bashkimit Evropian (EUSR) për Dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor. Ai ka shërbyer më parë si Ministër i Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Sllovakisë”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e BE-së.
Pos Lajçakut, detyra të reja kanë marrë edhe zyrtarë të tjerë të lartë të BE-së, ndërsa njoftohet se procesi i emërimit të të nominuarve do të zyrtarizohet pas marrjes së miratimit zyrtar aty ku është e aplikueshme, nga vendet pritëse përkatëse.