Falsifikonin monedhat metalike prej 2 euro, Kosova arreston 6 persona.    /Foto: AA

Gjashtë persona kanë rënë nën prangat e policisë së Kosovës pasi dyshohen për veprat penale "Falsifikim i parasë" (prodhimi dhe vënia në qarkullim) pasi të njëjtit kanë qenë shpërndarës të parave të falsifikuara, konkretisht monedhave metalike 2 euro.

Në komunikatën e përbashkët nga Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës bëhet e ditur se tre nga personat e dyshuar janë shtetas nga Maqedonia e Veriut dhe tre të tjerë shtetas të Kosovës.

Sipas Prokurorisë, nga operacioni i cili rezultoi me identifikimin e grupit i cili merrej me prodhimin, shpërndarjen dhe futjen në treg të parave të falsifikuara, "dyshohet se paratë janë prodhuar në një shtet fqinj me Kosovën dhe më pastaj nga grupe kriminale shpërndahen në shtetet e rajonit".

"Nga ky operacion janë sekuestruar thasë me nga dy euro metalike në vlerë prej tetëdhjetë e pesëmijë e dhjetë (85.010) euro, të cilat dyshohen se janë të falsifikuara. Po ashtu, janë sekuestruar katër vetura të cilat janë përdorur nga personat e arrestuar dhe 7 telefona celularë", thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Personat e arrestuar janë dërguar në mbajtje për 48 orë si dhe brenda afateve kohore ligjore do të bëhet kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit të tyre.


TRT Balkan / agjencitë