Feride Rushiti e nominuar për Çmimin Nobel për Paqe 2025 / Photo: AA

Drejtoresha e Qendrës për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti, është e nominuar për Çmimin Nobel për Paqe 2025. Ajo njoftoi se bashkë me institucionin që drejton janë propozuar për këtë çmim prestigjioz nga deputeti suedez Magnus Jacobsson.

“E përulur dhe thellësisht mirënjohëse. Jam thellësisht e lumtur dhe e nderuar se unë dhe Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) jemi nominuar për Çmimin Nobel për Paqe 2025. Ky vendim për nominim, i propozuar nga deputeti i Parlamentit Suedez, z. Magnus Jacobsson, më mbush me emocione të papërshkrueshme dhe mirënjohje të thellë,” ka deklaruar Rushiti në një njoftim publik.

Pas luftës së Kosovës 1998-1999, Rushiti mobilizoi një ekip prej 45 profesionistësh shëndetësorë nga Kosova, për të ndihmuar të kthyerit e pasluftës dhe të mbijetuarit e torturës.

“Ky moment i veçantë, na frymëzon të vazhdojmë përpjekjet tona kolektive, duke avokuar globalisht dhe ndarë praktikat e mira të Kosovës, për të trajtuar këtë plagë të rëndë dhe për të kontribuar në parandalimin e dhunës seksuale në konflikt, si dhe në arritjen e drejtësisë për të mbijetuarit”, tha Rushiti.

Ajo mori Çmimin Ndërkombëtar të Grave të Guximshme të Sekretarit të Shtetit nga Zonja e Parë e ShBA-së Melania Trump më 23 mars 2018.

TRT Balkan / agjencitë