Federata e Futbollit të Kosovës e ka dënuar ashpër dhe njëherësh ka shprehur zemërimin dhe shqetësimin e saj lidhur me koreografinë skandaloze, luftënxitëse të tifozëve të klubit serb, Cërvena Zvezda, në ndeshjen e futbollit kundër Fiorentinës të zhvilluar mbrëmë në Beograd.
"Paraqitja e një tanku si koreografi në tribuna me simbolikën kundër Kosovës është një akt i papranueshëm dhe i pashoq për sportin, por edhe për harmoninë e paqen ndërmjet vendeve dhe popujve në rajonin tonë, e sidomos në periudhën e tensioneve mes dy vendeve", thuhet në reagimin e FFK-së.
Ky akt i shprehur publikisht, i shoqëruar edhe me slogane provokuese, sipas FFK-së, dëshmon se opinioni në Serbi dhe autoritetet e atjeshme nuk kanë ndryshuar aspak nga qasja agresore dhe njëherësh është një provokim i hapur ndaj sportit të futbollit dhe Republikës së Kosovës.
"Federata e Futbollit të Kosovës ka vepruar në përputhje me rregulloret dhe parimet e UEFA-së, duke paraqitur ankesë zyrtare për këtë çështje. Ne kemi kërkuar nga organet e UEFA-së që ta hetojnë me urgjencë këtë rast dhe të marrin masa të ashpra ndaj klubit dhe tifozëve të Cërvena Zvezdës, në mënyrë që veprimet e tilla shoviniste dhe provokimet e ngjashme të parandalohen në të ardhmen", thonë nga FFK-ja.
Sipas tyre, koreografitë dhe sloganet e tilla që synojnë të shkaktojnë konflikte dhe urrejtje ndërmjet vendeve dhe popujve nuk duhet të tolerohen.