FFK me ankesë në UEFA kundër parullave shoviniste në ndeshjen Serbi-Angli           / Foto: Federata e Futbollit e Kosovës

Federata e Futbollit të Kosovës i ka dërguar një reagim zyrtar Federatës Evropiane të Futbollit (UEFA) për shkak të vendosjes së flamujve, parullave dhe thirrjeve të tifozëve serbë me mesazhe politike, shoviniste dhe raciste kundër Kosovës, gjatë ndeshjes ndërmjet Serbisë dhe Anglisë në EURO 2024.

“Shfaqja e papenguar e mesazheve të tilla në një ngjarje madhore siç është EURO 2024 është e pakuptimtë dhe absurde. Thirrje të tilla dëshmojnë urrejtjen që futet në opinionin publik të Serbisë ndaj fqinjëve të saj”, thuhet në deklaratën e publikuar në faqen e Federatës së Futbollit të Kosovës.

Në ankesën, të cilën e ka paraqitur në UEFA me provat e nevojshme, FSK-ja ka kërkuar masa të rrepta disiplinore ndaj Federatës së Futbollit të Serbisë, si përsëritës i rasteve të tilla.

Në të njëjtën kohë, FSK-ja kërkon kujdes nga organizatorët për të shmangur shfaqjen e pankartave të tilla në ndeshjet e ardhshme, pasi ato përfaqësojnë një shkelje të rëndë të rregullave të UEFA-s.

“Thirrjet kundër shtetit të Kosovës në një ngjarje madhore si EURO 2024 janë motivim për grupet nacionaliste dhe kërcënojnë sigurinë e brishtë të rajonit. Federata e Futbollit të Kosovës qëndron fuqishëm në mbrojtje të vlerës së futbollit dhe promovimit të asaj që përfaqëson UEFA: unitetit, gjithëpërfshirjes dhe pasionit për lojën e futbollit, por në të njëjtën kohë mbron me vendosmëri dinjitetin e shtetit që u krijua me shumë përpjekje dhe sakrifica”, thuhet në deklaratë.

Vihet re se njerëzit me sjellje dhe filozofi urrejtjeje ndaj njerëzve dhe vendit të tjerë nuk kanë vend në arenat e futbollit.

TRT Balkan / agjencitë