Gazetari palestinez Yousef Alhelou, në një intervistë ekskluzive për TRT Balkan, foli për luftën tashmë 1-vjeçare të Izraelit në Gaza dhe gjenocidin ndaj popullit palestinez. Alhelou shpjegon se sa i rëndë është ushtrimi i profesionit të gazetarit në Gaza, aty ku Izraeli nuk respekton as mediat, duke vrarë mbi 160 gazetarë që nga 7 tetori.
“Unë jam nga Gaza. Babai im u detyrua të largohej nga fshati i tij në vitin 1967 dhe Palestina është një burg më i madh, dhe Gaza është ende nën kolonizimin dhe pushtimin izraelit, dhe ne aspirojmë për liri, pavarësi. Kështu të rinjtë në Palestinë bëhen gazetarë për të rritur ndërgjegjësimin, për të edukuar njerëzit për kauzën dhe gjithashtu për të ekspozuar krimet. Ju e dini se vuajtjet e palestinezëve nuk mund të shkojnë përgjithmonë”, thotë Alhelou.
Nakba e Re
Gazetari Alhelou shpjegon se kjo që po ndodh në Gaza është një Nakba e re, spastrim etnik dhe zhvendosje me forcë të palestinezëve nga tokat e tyre.
“Unë mendoj se Izraeli ka krijuar një precedent të rrezikshëm duke kryer këto krime lufte dhe krime gjenocidale. Palestinezët po ndëshkohen kolektivisht. Izraelitët po i justifikojnë sulmet e tyre duke thënë se po synojnë rezistencën, por ata po synojnë të gjithë. Ata e shndërruan Gazën nga një nga kampet më të mëdha të përqendrimit dhe tani e shndërruan në një nga kampet më të mëdha të shfarosjes, sepse nuk ka vend të sigurt në Gaza.
Izraeli e ka shndërruar Gazën në një eksperiment. Armët e teknologjisë më të fundit po përdoren kundër popullatës së pambrojtur në Gaza. Izraeli po përdor forcë disproporcionale, për t'u bërë presion palestinezëve që të heqin dorë nga e drejta e rezistencës, pavarësisë, vetëvendosjes, e i dëboi palestinezët nga toka, ajo që ne e quajmë, Nakba e re, spastrimi etnik”, deklaroi Alhelou.
Hipokrizia e botës
Sipas gazetarit palestinez, bota dhe institucionet ndërkombëtare e tradhtuan Gazën.
“Ka hipokrizi, politikë me standarde të dyfishta, ka konspiracion heshtjeje dhe palestinezët po pyesin, ku janë parullat e të drejtave të njeriut, organizatat e të drejtave të njeriut, institucionet e Kombeve të Bashkuara. Është e gjitha një mirazh”, tha Alhelou.
Gazetaria në Gaza
Yousef Alhelou shpjegon se sa i rëndë është profesioni i gazetarisë në Gaza dhe në Palestinë përgjithësisht. Me rreth 160 gazetarë të vrarë për një vit, më shumë se kudo në botë, Izraeli, sipas Alhelout, po i shënjestron qëllimshëm gazetarët, për ta heshtur të vërtetën.
“Nuk është e lehtë të punosh si gazetar në Gaza apo Palestinë. Sidomos në Gaza. Ne humbëm 160 gazetarë palestinezë, meshkuj dhe femra, duke përfshirë disa kolegë që i njihja personalisht. Ushtria izraelite nuk e respekton shtypin në Palestinë edhe pse ju keni veshur TV, PRESS, ose automjeti është i shënuar me TV PRESS, ju mund të jeni ende një objektiv. Është një mënyrë për të frikësuar gazetarët palestinezë. Është një mënyrë për të heshtur të vërtetën. Është një mënyrë për të censuruar narrativën palestineze. Sepse Izraeli është i shqetësuar për ekspozimin e krimeve. Nuk dëshiron që bota të shohë se çfarë po ndodh në terren”, shpjegon gazetari.
Një zgjim global
Megjithatë, shpresa e palestinezëve është zgjimi dhe ndërgjegjësimi global për kauzën e tyre.
“Ka një zgjim në mbarë botën, veçanërisht në mesin e studentëve në ShBA. Mediat sociale, mediat digjitale po ndihmojnë. Dhe ne shpresojmë se do të ushtrohet më shumë presion mbi Izraelin për të ndaluar pushtimin e tyre. Pushtimi i tyre është rrënja e këtij konflikti dhe Hamasi dhe fraksionet e tjera të rezistencës janë rezultat dhe produkt i këtij pushtimi.
Ne e dimë që njerëzit janë me ne. Disa nga qeveritë perëndimore janë bashkëfajtorë. Izraeli shantazhon qeveritë perëndimore dhe derdh lot krokodili për ta portretizuar veten si viktimë, në mënyrë që të justifikojë atë që po bën kundër palestinezëve. Por, të gjithë duhet të dinë se bota nuk është e lirë, derisa palestinezët të jenë të lirë”, deklaroi Yousef Alhelou për TRT Balkan.
Si mund të ndihmojnë njerëzit?
Alhelou inkurajon njerëzit në mbarë botën që të vazhdojnë të ngrejnë zërin dhe ta përcjellin te gjeneratat e ardhshme të vërtetën për Palestinën dhe vuajtjet e popullit palestinez.
“Duke vazhduar solidaritetin, duke vazhduar ndërgjegjësimin e fëmijëve tuaj, duke ushtruar presion ndaj anëtarëve të parlamentit tuaj, qeverive tuaja, që të bëjnë diçka”, thotë gazetari.
Gazetari Alhelou, i cili tani jeton në Londër, vizitoi Shqipërinë, Kosovën, Bosnjë e Hercegovinën dhe Maqedoninë e Veriut, ku takoi aktivistë propalestinezë.