Gërvalla: Janë siguruar votat për anëtarësimin e Kosovës në KiE.     /Foto: AA

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës, Donika Gërvalla, është shprehur optimiste për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës, brenda disa muajve. Ajo ka thënë se votat për anëtarësim i kanë siguruar dhe nuk duhet të kalojë edhe shumë kohë që aplikacioni i Kosovës të kalojë nga Komiteti i Ministrave në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Kryediplomatja kosovare gjatë raportimit të premten në Komisionin parlamentar për punë të jashtme tha se janë duke punuar intensivisht përforcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, anëtarësimin në organizata të tjera ndërkombëtare, si dhe sigurimin e njohjeve të reja.

“Në Këshillin e Evropës që nga maji i vitit 2022 kur kemi dorëzuar kërkesën tonë ka pasur lëvizje lidhur me kërkesën tonë. Është një opinion ligjor që është prezantuar në tetor të vitit të kaluar, i cili ka hequr dilemat rreth asaj se a shkel rregullat e brendshme të KiE-së aplikimi ynë. Ka pasur një raportim që është kërkuar nga Komiteti Ministror i cili në Strasburg përfaqësohet nga ambasadorët e shteteve anëtare për të drejtat e njeriut në Kosovë, i cili po ashtu ka qenë pozitiv për ne. Ka pasur konsultime të ndryshme të Presidencës së Këshillit të Evropës me shtete të ndryshme, duke përfshirë edhe shtetet jo njohëse”, tha ajo.

Madje, ministrja Gërvalla tha se pret që Greqia shumë shpejt të lëvizë drejt njohjes së Kosovës.

Mes të tjerash, ajo foli edhe për pretendimet e Serbisë për çnjohje të pavarësisë së Kosovës, me çka theksoi se ata po demantohen një nga një.

TRT Balkan / agjencitë