Ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla, ka deklaruar se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka nisur të jetësojë kërcënimet e tij pas votimit të djeshëm në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (KiE) ku Kosova mori shumicë votash për anëtarësim.
Në një konferencë për media, Gërvalla e cila vlerësoi anëtarësimin e Kosovës në Asamblenë Parlamentare të KiE-së, tha se qindra kosovarë sot janë përballur me probleme të kalimit nëpërmjet territorit të Serbisë, gjë e cila sipas saj lidhet pikërisht me çështjen e anëtarësimit në KiE të Kosovës.
“Jemi dëshmitarë të deklaratave kërcënuese presidentit serb Vuçiq gjatë ditëve dhe javëve të kaluara, i cili ka kërcënuar jo vetëm Kosovën, por edhe partnerët dhe mbështetësit tanë që vota pozitive për Kosovën do të ketë pasoja. Dhe, për shkak se dje nuk eci as presioni as propaganda në atë seancë, Vuçiqi ka filluar që t’i jetësojë kërcënimet e tij, në këtë kontekst e shoh unë ndalimin e sotshëm të udhëtarëve”, theksoi Gërvalla.
Ministrja kosovare tha se qindra kosovarëve i janë shkelur të drejtat masivisht nga ndaljet në pika kufitare me Serbinë dhe një numër i madh i tyre i janë nënshtruar edhe “bisedave informative”, me qëllim që të flitet për vitet 1999 dhe për anëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Gërvalla tha se për këtë çështje ajo bashkë me ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla, kanë njoftuar edhe vendet e QUINT-it.
“Jo vetëm që është shkelur marrëveshja e vitit 2023 në vazhdimësi, por sot është shkelur edhe marrëveshja për mobilitetin e cila sido që të jetë për një periudhë të caktuar kohore i ka garantuar qytetarëve tanë që mund të kalojnë me pak rreziqe në Serbi. Prandaj, ne duhet të mbetemi të kujdesshëm, të përgatitur dhe vigjilentë. E dimë që një pjesë e atyre që janë mbajtur në kufijtë e Serbisë janë liruar. Nuk mund t’ju japim informacion se a janë liruar të gjithë”, theksoi ministrja.
Nga orët e para të së mërkurës qindra qytetarë nga Kosova janë bllokuar në pikë kalimin kufitar Serbi-Kroaci njoftoi Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi.
Ky bllokim dhe ndalim i qytetarëve kosovarë nga autoritetet kosovare u konsiderua si veprim i ndërlidhur me anëtarësimin e Kosovës në Asamblenë Parlamentare të KiE-së.
Më 16 prill, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka votuar pro raportit të Dora Bakoyannis për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, organizatë ndërkombëtare me seli në Strasburg të Francës, duke bërë që Kosova të mbetet vetëm edhe një hap larg anëtarësimit të plotë në këtë organizatë.