Gërvalla në OKB: Dialogu me Serbinë për normalizim, asnjëherë për statusin.     /Foto: AA

Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka thënë se Kosova ka dialog me Serbinë për normalizim të raporteve dhe asnjëherë për statusin e saj.

Gjatë seancës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Gërvalla ka thënë se çështja e statusit të Kosovës është gjë e kryer.

“Kosova sot është shtet i pavarur, sovran dhe demokratik, një nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, kjo do të thotë se ne jemi duke biseduar me fqinjin tonë shumë problematik lidhur me normalizim të raporteve tona, nuk është dialog lidhur me statusin e Kosovës sepse kjo është një gjë e kryer, e njohur nga më shumë se 115 shtete anëtare të OKB-së. Por, është një diskutim në Bruksel për normalizim të raporteve tona”, ka shtuar ajo.

Duke replikuar me ministrin e Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq, zëvendëskryeministrja e Kosovës ka thënë se duke i dëgjuar deklaratat e liderëve serb, shtrohet pyetja se a ka apo jo marrëveshje në mes të palëve.

“Me sa e kam të qartë kemi marrëveshje dhe jemi shumë të përkushtuar të zbatojmë atë që jemi dakorduar në Bruksel dhe në Ohër. Por, unë kam dyshime, pasi dëgjova gjitha këto deklarata të cilat më shumë janë për publikun e brendshëm sesa që i takojnë këtij organi të respektuar siç është Këshilli i Sigurimit”, tha Gërvalla.

Nga ana tjetër, kryediplomati serb, Ivica Daçiq, tha se Serbia asnjëherë nuk do të pranojë pavarësinë e Kosovës dhe as do të pranojë dhe votojë që Kosova të bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara.

TRT Balkan / agjencitë