Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Donika Gërvalla, në kuadër të Forumit Ndërkombëtar për Paqe dhe Siguri në Senegal ka takuar delegacionin e Bregut të Fildishtë të kryesuar nga ministri i deleguar në Ministrinë e Jashtme të Bregut të Fildishtë, Wautabauna Ouattara, zv/ndihmësadministratorin e USAID-it për Parandalimin dhe Stabilizimin e Konflikteve, Neilesh Shelat dhe pjesëmarrës të tjerë të Forumit.
Siç njofton MPJD-ja, ministrja Gërvalla në margjina të këtij Forumi, i cili po mbahet në Dakar, ka biseduar në këto takime të ndara për thellimin e bashkëpunimit të dyanshëm dhe konkretizimin e tij përmes programeve të veçanta dhe në fusha të interesit të dyanshëm.
Gërvalla mori pjesë edhe në konferencën përmbyllëse të Forumit për media, së bashku me ministrin e Jashtëm të Senegalit Ismaïla Maidor Fall dhe ministrin e Jashtëm të Kepit të Gjelbër/Cabo Verdes, Rui Alberto De Figueiredo Soares, ku ajo theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me kontinentin afrikan në përgjithësi dhe bashkëpunimin me Republikën e Senegalit në veçanti.
Në ditën e parë të këtij forumi, Gërvalla mori pjesë edhe në hapjen solemne dhe panelin e nivelit të lartë në Forumin Ndërkombëtar për Paqe dhe Siguri, ku u diskutua rreth sfidave të sigurisë dhe stabilitetin institucional në Afrikë dhe më gjerë.
Në margjina të këtij forumi, Gërvalla takoi të martën kryeministrin e Republikës së Guinea-Bisaut, Geraldo João Martins, me të cilin bisedoi për bashkëpunimin mes të dy vendeve.
Gjithashtu, ajo zhvilloi takime të ndara edhe me ministrin e Punëve të Jashtme të Gabonit Regis Onanga M Ndiaye, ministrin e Mbrojtjes së Gambias Seringe Modou Nji dhe përfaqësues të tjerë të shteteve të ndryshme afrikane.