Forca e Sigurisë së Kosovës ka pranuar një donacion nga Gjermania të 5 automjeteve ushtarake "Rheinmetall" në vlerë prej 2,7 milionë euro.
Në ceremoninë e pranim-dorëzimit të çelësave të këtyre automjeteve, e cila u mbajt në Kazermën "Adem Jashari" në Prishtinë, morën pjesë ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari dhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.
Ministri Maqedonci tha se këta kamionë ushtarakë do të ndikojnë në ngritjen e kapaciteteve logjistike dhe operacionale të FSK-së.
"Në rrugën drejt rritjes dhe zhvillimit të ushtrisë sonë, rol të jashtëzakonshëm ka luajtur partneri ynë strategjik, Republika Federale e Gjermanisë, andaj jemi shumë mirënjohës. 2,7 milionë euro të pranuara sot janë në vazhdën e donacioneve prej 3,8 milionë eurove që pranuam vitin e kaluar nga Republika Federale e Gjermanisë", theksoi Maqedonci.
Ai shtoi se mbështetja e FSK-së me automjete ushtarake është vetëm njëra nga mënyrat e ndihmave nga Gjermania e cila ka kontribuar shumë për mbrojtjen dhe sigurinë e Kosovës.
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rohde, tha se marrëdhëniet kosovare-gjermane janë të shkëlqyera.
"Sot dua të theksoj edhe një herë marrëdhëniet e shkëlqyera mes Gjermanisë dhe Kosovës. Bashkëpunimi ynë është gjithnjë e më i ngushtë, veçanërisht në fushën e sigurisë dhe kjo bëhet përmes zyrtarëve tanë, siç janë atashetë ushtarakë", tha Rohde, i cili theksoi se ky donacion vjen pas një marrëveshjeje në nëntor të vitit 2023.
Ambasadori Rohde tha se përpos 5 automjeteve ushtarake si donacion për FSK-në nga Gjermania, Qeveria e Kosovës ka blerë me buxhetin e saj edhe 10 të njëjta në të njëjtën kohë.
Këto automjete ushtarake do të shërbejnë në kuadër të Qendrës Shtetërore Trajnuese për Siguri Kibernetike në Kazermën "Adem Jashari" e cila u hap më 12 mars të këtij viti.