Gjykata Speciale për krime të luftës në Kosovë, me seli në Hagë, ka ngritur akuzë të re ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Gjykata Speciale nëpërmjet një njoftimi për media bëri të ditur se Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka ngritur tani aktakuzë edhe për vepra penale që lidhen me pengim të drejtësisë.
“Thaçi ndodhej në Objektin e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës kur iu dorëzua një fletë-arrestim dhe ndaj tij janë ngritur tre akuza për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, tre akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës, dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës. Ai do të paraqitet para një Gjykatësi të Procedurës Paraprake të Dhomave të Specializuara të Kosovës lidhur me akuzat për vepra penale shtesë të ngritura kundër tij”, njoftoi Gjykata Speciale.
Për të njëjtat vepra, siç ka njoftuar Specialja, janë arrestuar edhe Bashkim Smakaj, Isni Kilaj e Fadil Fazliu, ndërsa për ish-ministrin e drejtësisë në Kosovë, Hajredin Kuçi, është lëshuar fletëthirrje për paraqitje.
Sipas njoftimit, Smakaj, Kilaj dhe Fazliu janë transferuar në Objektin e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë dhe do të paraqiten edhe ata para gjykatës, pa vonesa të papërligjura.
Lidhur me këto procese, ZPS-ja u ndihmua me mbështetje operacionale dhe logjistike nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) dhe Policia e Kosovës.
Thaçi, bashkë me Jakup Krasniqin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin, janë në paraburgim nga fundi i vitit 2020. Ata akuzohen për krime kundër njerëzimit dhe për krime lufte. Që të katër ish-krerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë mbi ta.