Ndihmëssekretari i Përgjithshëm i NATO-s për Operacione, Thomas Goffus, tha se gjatë vizitës së tij në Kosovë ai u ka përcjellë të gjithë bashkëbiseduesve se koordinimi në kohë dhe efikas me NATO-n dhe bashkësinë ndërkombëtare është i një rëndësie jetike.
Zyrtari i NATO-s është takuar dje në Prishtinë me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.
Goffus ka thënë në një deklaratë, të cilën KFOR-i ua ka përcjellë mediave, se ka kërkuar nga zyrtarët e Kosovës koordinim lidhur me problemet e shumta, përfshirë urën mbi Ibër në Mitrovicë, ku ushtarët e KFOR-it kanë një prani të përhershme.
“Veprimet e pakoordinuara dhe afatet joreale, së bashku me retorikën përçarëse, po nxisin tensione që kërcënojnë paqen dhe stabilitetin në Kosovë”, tha Goffus.
Ai përkujtoi se më 29 maj 2023, në Zveçan, në veri të Kosovës, anëtarët e NATO-s pësuan “sulme të paprovokuara dhe të papranueshme, gjatë të cilave 93 prej tyre u plagosën, disa prej tyre rëndë”.
“Kjo është e papranueshme. Presim që përgjegjësit për ngjarjet e vitit të kaluar në Zveçan, si dhe në Banjskë, të mbajnë përgjegjësi. NATO-ja e tha këtë shumë qartë si në Beograd ashtu edhe në Prishtinë”, tha Goffus.
Ndihmëssekretari i Përgjithshëm tha se NATO-ja ka rritur numrin e trupave në Kosovë në kuadër të misionit të KFOR-it vitin e kaluar për shkak të sfidave të sigurisë dhe tensioneve të vazhdueshme. Megjithatë, ai shtoi se zgjidhja duhet të jetë politike.
Ai tha se NATO-ja e konsideron thelbësore që si Prishtina ashtu edhe Beogradi të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura dhe se të gjitha palët janë apeluar që të zbatojnë marrëveshjet ekzistuese pa vonesë.
“Siç e kemi parë, veprimet e papritura dhe të pakoordinuara, veçanërisht në veri të Kosovës, mund të rrisin rrezikun e dhunës, e cila minon sigurinë e të gjithë njerëzve në Kosovë dhe rrit rreziqet me të cilat përballen trupat e KFOR-it. Siç mund ta prisni, kjo rrit shqetësimet e aleatëve dhe partnerëve të NATO-s për stabilitetin e rajonit, sigurinë e Kosovës dhe sigurinë e trupave të tyre”, tha Goffus.