Ish-ministri i Drejtësisë së Kosovës, Hajredin Kuçi, ka dalë në seancën e parë në Gjykatën Speciale, ku është deklaruar i pafajshëm lidhur me aktakuzën, duke thënë se puna e tij është identifikuar në funksion të ndërtimit të drejtësisë, respektimit të vendimeve gjyqësore dhe besimin në drejtësi, e jo në mosbindje të urdhrave të gjykatës çfarë thotë aktakuza.
“Jam plotësisht i pafajshëm. Sot është një moment i errët për mua si njeri i drejtësisë që e ka profesion dhe mision tërë jetën. Jam i identifikuar me drejtësinë si profesion i drejtësisë për mbi 30 vjet, si ish-kryetar i komisionit kushtetues të Kosovës që kushtetuta është ende në fuqi, si zëvendëskryeministër për rend dhe ligj për 3 mandate dhe ministër i drejtësisë për dy mandate, si anëtarë i ekipit mbrojtës të kryetarit Kadri Veselit. Këtë aktakuzë e shoh si prekje të dinjitetit tim njerëzor, profesional por edhe të dhe reputacionit tim. Drejtësinë si profesion dhe mision do ta vazhdojë edhe sot edhe në një pozitë tjetër por prapë në funksion të saj dhe atyre vlerave që jam identifikuar”, tha Kuçi.
Ai foli edhe për angazhimet dhe punën që kishte me Hashim Thaçin.
“Në aktakuzë jam me presidentin Hashim Thaçin. Hashimin e kam mik, njihemi që vite të gjata dhe kemi punuar gjatë. Gjatë tërë punës sëbashku ne kemi punuar dhe punuar mbi parimin e drejtësisë, respektimit të saj dhe kemi besuar në drejtësi. Unë si jurist kam përdorur sloganin “Sundimi i ligjit me ligj”, edhe sot besoj që kjo gjykatë po e bën dhe do ta bëjë kjo gjykatë. Puna ime është identifikuar në funksion të ndërtimit të drejtësisë, në respektimin e vendimeve gjyqësore, në besimin në drejtësi dhe jo në mosbindje të urdhrave të gjykatës çfarë thotë aktakuza. Edhe në kohën kur isha në ekipin mbrojtës, edhe atëherë kur kam pas mundësi që përmes ligjit dhe protokollit të takohem me dëshmitarët, këtë të drejt nuk e kam shfrytëzuar asnjëherë, çka edhe mund të vërtetohet. Nuk kam dashur të krijohet perceptim për ndonjë keqkuptim eventual. Siç e thash në fillim drejtësia për mua është profesion dhe mision do të vazhdojë edhe sot dhe në të ardhmen. Besimi në Zot dhe në drejtësi nuk e luhati edhe kur sfidohem personalisht, edhe kur duket se ata janë në anën tjetër, ngase unë me bindje çdoherë jam në anën e tyre”, tha Kuçi.