Gjithsej tetë disiplina parasportive do të organizohen në Lojërat Paralimpike të Kosovës 2024 që do të zhvillohen sot dhe nesër në Vushtrri. Vrapimi me karrocë, basketbolli me karrocë, xhudo dhe disiplina të tjera do të demonstrohen për dy ditë me radhë.
Presidentja e Komitetit Paralimpik të Kosovës, Njomza Emini, theksoi se qëllimi i këtyre lojërave është për të demonstruar barazinë ndërmjet kësaj kategorie të sportistëve me të gjithë sportistët tjerë në Kosovë.
Ajo shtoi se pjesëmarrja historike e Kosovës për herë të parë në Lojërat Paralimpike Parisi 2024 me atletin Grevist Bytyqi ishte dëshmi se edhe sportistët e kësaj kategorie mund të thyejnë çdo barrierë dhe të arrijnë suksese të mëdha në gara të niveleve të larta ndërkombëtare.
Ndërkaq, drejtori i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, Kastriot Jashari, tha se ky institucion me mburrje vazhdon të përkrah aktivitetet e Komitetit Paralimpik, duke dhënë kështu mesazh se shoqëria duhet të bashkëndjejë me këtë kategori dhe se ata janë pjesë vitale e shoqërisë dhe të barabartë në secilën fushë.