Vendimet e Qeverisë së Kosovës për vendosjen e masave të reciprocitetit ndaj Serbisë, gjithnjë kanë ngjallur reagime te qytetarët serb në Veri të Kosovës. Kryesisht këto reagime kanë qenë me vendosjen e barrikadave. Por, nuk kanë munguar as protestat e dhunshme, si dhe sulmet ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës. Barrikadat e para të ngritura nga serbet në Mitrovicën e Veriut u regjistruan në vitin 2011 në shenjë proteste për të kundërshtuar vendosjen pushtetit në këtë pjesë të Kosovës.
Tre vite pas pavarësisë
Në korrik të vitit 2011 policia e Kosovës, për herë të parë që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008 niset për të vendosur kontrollin mbi pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak në Veri të Kosovës, në kufi me Serbinë. Ky aksion i policisë së Kosovës, i aprovuar nga kryeministri i asaj kohe Hashim Thaçi, rezultoi me vendosjen e shumë barrikadave në pjesën veriore të vendit nga qytetarët serb. Gjatë këtij aksioni humbi jetën edhe një pjesëtar i njësisë speciale, Enver Zymberi. Ndërkohë, pikës kufitare në Jarinje u vu flaka. Zbatimi i masës së reciporcitet ndaj Serbisë, për vulat doganore ishte arsyeja e këtij aksioni.
Barrikada mbi urën e Mitrovicës
Të indinjuar për marrjen nën kontroll të pikave kufitare në veri të Kosovës, qytetarët serb për tre vite rresht e bllokuan urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, (2011-2014). Përveç kësaj barrikade me zhavorr e gurë, ata kishin bllokuar edhe lagje tjera brenda pjesës së mbetur të Mitrovicës së Veriut. Fillimi i largimit të kësaj barrikade nisi më 18 qershor të vitit 2014. Në vend të zhavorrit dhe gurit qytetarët serb vendosën vazo të betonit dhe mbjellën pisha duke emërtuar këtë barrikadë si “Parku i Paqes”. Mirëpo, as kjo formë e bllokimit të rrugës nuk zgjati. Nisma e radhës e qytetarëve serb ishte ndërtimi i murit i cili përfundimisht u largua në vitin 2017.
Mbrojtja e kriminelëve
Vendosja e barrikadave nga qytetarët serb nuk është bërë vetëm për masat e reciprocitetit. Kamionët me dru dhe automjetet tjera të rënda nga qytetarët serb në Veri të Kosovës janë vendosur edhe kur Policia e Kosovës ka zhvilluar aksione kundër kontrabandës dhe arrestimeve që lidhen me shpërdorimin e detyrës zyrtare. Një barrikadë e tillë u vendos në maj të vitit 2019 në Zubin Potok me qëllim parandalimin e policisë së Kosovës për arrestimin e disa të dyshuarve. Kamionët me dru të serbëve lokal u larguan me forcë nga autoblindat e njësisë speciale të Kosovës.
Policia dhe protestuesit ballë për ballë
Vitin e kaluar pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe protestuesit serb në barrikada qëndronin ballë për ballë. Vendimi i Qeverisë së Kosovës për reciprocitetin për targat nga Serbia, ndikoi që për gati dy javë rresht në Mitrovicë të Veriut të mbizotrojë një situatë e tensionuar. Por, fatmirësisht pa incidente të theksuara. Provokimet nga ana serbe nuk munguan.
Me metoda të vjetra kundër reciprociteti të ri
Paralajmërimet për vendosjen e masave të reja të reciporcitet për letërnjoftimet me Serbinë, i kthyen në skenë kamionët me zhavorr në pjeën e Mitrovicës së Veriut. Bllokimi i rrugëve filloi pasditen e 31 korrikut. Sirenat nga alarmi përsëri u dëgjuan në Mitrovicën e Veriut. Kjo ishte shenjë për reagim të qytetarëve. Bazuar në njoftimin e Policisë së Kosovës, gjatë kësaj periudhë ka pasur të shtëna në drejtim të tyre, si dhe disa qytetarë shqiptarë janë maltretuar. Në orët e vona të mbrëmjes krerët e shtetit të Kosovës, pas takimeve dhe kontakteve me faktorin ndërkombëtar njoftuan se masat e reja të reciprocitetit me Serbinë, do të hynë në fuqi nga 1 shtatori.