IKD-ja: Të gjitha pozitat udhëheqëse në Kosovë dominohen nga burrat          / Foto: AA

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) nëpërmjet publikimit të një raporti me titull "Dimensioni gjinor i korrupsionit", tha se pozitat udhëheqëse në institucione, përfshirë edhe ato të drejtësisë, dominohen nga burrat.

Në publikimin e këtij raporti mori pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila tha se nëse e shohim sistemin e drejtësisë në veçanti, në gjyqësor ka një arritje më të madhe të prezencës së grave, derisa në sistemin prokurorial nuk është kështu.

Osmani theksoi se në Kuvend shumicën dërrmuese të çështjeve që kanë të bëjnë me transparencën, barazinë e qytetarëve para ligjit apo gjithëpërfshirjen, kryesisht i ngrenë gratë.

"Indekset globale tregojnë që në krye të listës së shteteve që janë të suksesshme për luftën kundër korrupsionit janë pikërisht shtetet të cilat kanë arritur barazi gjinore edhe natyrisht që kanë sistem të fortë arsimor e shumëçka tjetër, megjithatë, një ndër parimet bazike të ndërtimit të asaj shoqërie dhe institucioneve, ato shtete e kanë pikërisht barazinë gjinore", theksoi Osmani.

Osmani shtoi se përfaqësimi gjinor duhet të reflektohet pozitivisht edhe në luftimin e dukurive negative në shoqëri, sepse, barazia gjinore nuk duhet të jetë vetëm brenda institucioneve por në shtëpi, vende pune dhe në çdo fushë.

Menaxherja e Programit dhe Hulumtuesja e Lartë në IKD, Arrita Rezniqi, theksoi se të gjitha pozitat udhëheqëse në institucionet e Republikës së Kosovës, dominohen nga burrat.

Ajo tha se vetëm institucioni i Presidencës përbën përfaqësimin më të lartë të barazisë gjinore me dy gra në gjithsej pesë presidentë që ka pasur Kosova që nga shpallja e pavarësisë.

"Qysh prej trajtimit tonë që e kemi bërë në kuadër të tre qeverive të fundit në Kosovë kemi analizuar pozitat e zëvendëskryeministrave dhe ministrave, nga ku rezulton se në tre qeveritë e fundit 38 kanë qenë burra dhe vetëm 15 gra", theksoi Rezniqi.

Raporti vuri në pah gjithashtu se sa i përket numrit të deputetëve, legjislativi aktual ka arritur numër rekord të grave me 43 deputete, derisa legjislativi 2019-2021 kishte 38 gra deputete.

Sa i përket përfaqësimit të grave në Qeverinë e Kosovës në pozitat ministra dhe zv.ministra, Qeveria aktuale ka gjithsej 5 gra në këto pozita, më së shumti ndonjëherë, sipas raportit.

Derisa, sa u përket pozitave udhëheqëse në gjykata dhe prokurori themelore të vendit, Kosova ka tetë kryetarë të gjykatave burra dhe vetëm dy gra, derisa ka vetëm 10 kryeprokurorë burra dhe asnjë grua.

TRT Balkan / agjencitë