Kallas: Normalizimi, mënyra për anëtarësim të Kosovës dhe Serbisë në BE                                  Foto: AA

Shefja për Politikë të Jashtme e Bashkimit Evropian (BE), Kaja Kallas, e ka mirëpritur emërimin e Peter Sorensenit si emisar të posaçëm për procesin e dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel.

Nëpërmjet rrjeteve sociale, Kallas, tha se tani “na pret një punë e rëndësishme tutje”.

“Normalizimi i plotë i marrëdhënieve është mënyra e vetme për anëtarësimin e Kosovës dhe Serbisë në BE”, ka shkruar ajo.

Në këtë reagim, Kallas ka falënderuar edhe emisarin e deritashëm për dialogun, Mirosllav Lajçak, duke shtuar se “puna e bërë shërben si bazë për riangazhimin”.

Politikani nga Danimarka, Peter Sorensen, në muajin janar mori votat nga ministrat e jashtëm të BE-së për t’u bërë përfaqësues i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi.

Detyra e Sorensen filloi nga 1 shkurti i këtij viti, me një mandat fillestar prej 13 muajsh.

TRT Balkan / agjencitë