Normalizimi i raporteve mes Serbisë dhe Kosovës është me rëndësi vitale për shqiptarët të cilët jetojnë në jug të Serbisë, tha deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi. Duke iu drejtuar presidentit serb Aleksandër Vuçiq, deputeti Kamberi, tha se Kosova është e pavarur dhe se presidenti Vuçiq qytetarëve duhet t’ua tregojë të vërtetën.
Sipas tij, qytetarët serb në Kosovë i kanë të drejtat e garantuar, ndërkohë shqiptarët në Serbi dhe etnitë tjera nuk i kanë këto të drejta.
“Nuk ka ardhmëri të asnjë shteti pa pajtim, nuk ka pajtim pas ballafaqim me të kaluarën. Paqja me shqiptarët ju duhet juve, dhe jo grindje”, tha deputeti Kamberi dhe shtoi se zgjidhja nuk duhet kërkuar në “400 revolet e policëve serb në Kosovë”.
Sipas tij, institucionet shtetërore duhet të angazhohen në integrimin e komunitetit shqiptar, për të cilin Republika e Serbisë, siç thotë ai, është zotuar në kuadër të tri marrëveshjeve që u dedikohet komunave ku shqiptarët përbëjnë shumicën ose një pjesë të popullatë.
Ai i bëri thirrje presidentit të Serbisë që të bëjë më shumë përpjekje në zgjidhjen e çështjeve dhe problemeve madhore dhe “së bashku me shqiptarët të ndërtojmë një Ballkan më të qëndrueshëm, më të sigurt dhe më premtues”.
Ndryshe, ai shtoi se në Serbi edhe më tej nuk ekziston atmosferë për kërkim falje ndaj Shqiptarëve për atë që u bë atje.