Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) me shqetësim të madh është duke përjetuar diskriminimet e sportistëve tanë nga shtetet, të cilat ende e përziejnë sportin me politikën.
Së fundmi, dhe jo për herë të parë, siç thotë KOK-i, Spanja sërish bëhet faktor, duke rikthyer “regjimin” e vjetër për sportistët tanë, pavarësisht se disa vjet më parë ishte treguar korrekte në këtë drejtim dhe pikërisht me sportistët e njëjtë.
“Për shkak të mosnjohjes së shtetit tonë, kombëtarja jonë e karatesë nuk është duke u lejuar të garojë e barabartë me garuesit tjerë në Kampionatin Evropian, që sot pritet të nisë në Guadalajara të Spanjës. Atyre iu është kumtuar lajmi nga organizatori se institucionet vendase nuk e kanë lejuar organizatorin të shfaqë simbolet tona shtetërore”, thotë KOK-i.
KOK-i, që është në kontakt me FKK-në, ka informuar menjëherë Komitetin Olimpik Ndërkombëtar (IOC), nga të cilët pret reagim të shpejtë, në mënyrë që karateistët të mos e humbin edhe një garë të rëndësishme, siç ndodhi javë më parë me Evropianin e të rinjve në Qipro.
Evropiani është garë kualifikuese edhe për Lojërat Evropiane Krakovia 2023.