Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë ka kërkuar që Festa e Pavarësisë së Kosovës ose 17 shkurti të shpallet festë zyrtare në Shqipëri.
Duke vlerësuar 17 Shkurtin e vitit 2008, ditën e shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, si një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë kombëtare;
si përmbushjen e një aspirate shekullore të kombit shqiptar në rrugën e tij drejt forcimit të identitetit, bashkimit kombëtar dhe integrimit në strukturat euroatlantike;
si një ditë të shënuar që frymëzon çdo shqiptar;
si ngjarje madhore për të cilën kanë kontribuar shqiptarët anembanë botës, me mbështetjen e fuqishme të ShBA-së, BE-së, NATO-s dhe vendeve të tjera aleate dhe mike,
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë i ka drejtuar një kërkesë zyrtare Kuvendit, më datë 21 shkurt 2023, për të ndërmarrë nismat përkatëse ligjore për ta shpallur këtë datë Festë Zyrtare të Republikës së Shqipërisë”, kështu thuhet në njoftimin e tyre.
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë beson se një vendim i tillë do të gëzonte dhe do të mbështetej nga çdo shqiptar kudo ku jeton, pavarësisht bindjeve politike.