Kaymakcı nga Tirana: Ballkani Perëndimor shpikje e BE-së, kundër Türkiyes     Foto: AA

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri-Türkiye (ATTSO) ka organizuar një takim (ATTSO Talks) me pjesëmarrjen e zv.ministrit të Punëve të Jashtme të Türkiye-s, Faruk Kaymakcı, dhe zyrtarëve të tjerë të ndryshëm. Në fjalën e tij, zv.ministri Kaymakcı tha se me shqiptarët kanë një lidhje shumë të ngushtë, duke shtuar se dy popujt janë shumë afër njëri-tjetrit. "Prania e ATTSO tregon qartë që biznesmenët turq dhe shqiptarë mund të bashkohen me njëri-tjetrin sepse ndajnë shumë dhe kanë të njëjtën mënyrë të të bërit biznes. Turqit janë të interesuar që të punojnë në Shqipëri dhe të ndihmojnë Shqipërinë", tha Kaymakcı. Ai theksoi se hapja e negociatave për anëtarësim në BE është një proces shumë kritik, duke shtuar se "Uroj më të mirën Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në të gjitha etapat e negociatave". Duke iu referuar termit Ballkani Perëndimor, Kaymakcı theksoi se "duket si një mënyrë për të ndarë pjesën tjetër të Ballkanit nga Türkiye". "Ne jemi të gjithë Ballkan dhe unë ndihem si një pjesëtar i Ballkanit në Ankara, por BE-ja për të diskriminuar kundrejt Türkiyes shpikën këtë termin Ballkan Perëndimor. Ne jemi të gjithë anëtarë të Ballkanit dhe kjo ndarje është artificiale dhe nuk ndihmon", tha ai. Duke folur për samitin që u mbajt në Tiranë më 6 dhjetor, Kaymakcı theksoi se dëshiron të përgëzojë kryeministrin Rama për realizimin e samitit, por ai shtoi se "ky ishte një samit për të mbështetur këto gjashtë vende drejt BE-së". "Besoj që ajo që u arrit nga samiti ishte shumë produktive jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për vendet e tjera. Por, sot ne jemi dhjetë vende. Nga sot e tutje do të jetë e vështirë të themi Ballkani Perëndimor. Po Ukrainën ku do ta vendosim, po Moldavia, po Gjeorgjia. Edhe pse nuk është një vend zyrtar kandidat, Bosnjë e Hercegovina, por ne e dimë që kemi dhjetë vende potenciale dhe vende kandidate. Duhet të trajtohen të gjitha në mënyrë të drejtë. Besoj është më mirë të kemi 10 vende së bashku në këtë proces zgjerimi dhe mund të ndihmojmë njëri-tjetrin", tha Kaymakcı. Kaymakcı shtoi se është e rëndësishme që të punojnë tani për tranzicion digjital dhe të gjelbër, duke shtuar se "Ne kemi filluar tashmë nga puna jonë". "Çështja e vizave është një çështje shumë e rëndësishme. Türkiye është i vetmi vend kandidat që nuk ka një lëvizje të lirë në zonën Shengen dhe kjo krijon një situatë të padrejtë për biznesmenët tanë", theksoi Kaymakcı. Midis Shqipërisë dhe Türkiyes është një lidhje shumë e fortë Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri-Türkiye (ATTSO), Bilal Kara, tha se ATTSO po jep një mbështetje shumë të fortë për bashkëpunimin midis dy shteteve. "Midis Shqipërisë dhe Türkiyes është një lidhje shumë e fortë, që ka nisur në shekuj dhe vazhdon dhe sot. Shqipëria është bërë një nga partnerët më të mëdhenj të Türkiyes dhe shumë investitorë turq kanë ardhur për të investuar në Shqipëri", tha Kara. Kara tha se ATTSO do të vazhdojë aktivitetin e saj për rritjen e tregtisë dypalëshe, investimet e ndërsjella dhe punësimin, si një urë tregtare mes dy vendeve. Ndryshe, në aktivitetin e organizuar në ambientet e një hoteli në Tiranë ishin të pranishëm edhe ambasadorit turk në Tiranë, Tayyar Kağan Atay, kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri-Türkiye (ATTSO), Bilal Kara, drejtori i Institutit "Yunus Emre" - Tiranë, Ömer Osman Demirbaş, koordinatorja e TIKA-s në Tiranë, Dr. Emine Gizem Başkan, drejtori i Institutit "Yunus Emre" - Shkodër, Zafer Kıyıcı, si dhe përfaqësues të bizneseve turke dhe shqiptare.

AA