Këshilli i Evropës ia ka zgjatur mandatin përfaqësuesit special të BE-së për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Mirosllav Lajçak, deri në janar të vitit 2025.
Ky vendim, i cili më parë ishte rënë dakord nga vendet anëtare me kërkesë të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Punët e Jashtme dhe Sigurinë, Josep Borrell, tashmë është formal.
Vendimi u mor disa muaj pasi përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikën e jashtme dhe sigurinë, Josep Borrell, emëroi Lajçakun si ambasador të BE-së në Zvicër, ku ai duhej të fillonte punën më 1 shtator.
Me një vendim të tillë BE-ja përpiqet të sigurojë që të mos ketë vakum në këtë pozitë derisa të emërohet pasardhësi i Lajçakut.
Emërimi i pasardhësit të Lajçakut lidhet me procedurën e emërimit të drejtuesve të rinj në institucionet e BE-së për mandatin e ardhshëm pesëvjeçar.