Këshilli i Sigurisë së Kosovës mban mbledhje të jashtëzakonshme           / Foto: AA

Në orët e para të pasmesnatës, nën udhëheqjen e kryeministrit Albin Kurti është mbajtur mbledhje e jashtëzakonshme e Këshillit të Sigurisë së Republikës së Kosovës.

Siç njofton Zyra e Kryeministrit, kjo mbledhje u thirr pas sulmit të tretë në 72 orët e fundit në veri të Kosovës, që këtë herë ka shënjestruar infrastrukturën kritike të vendit, përkatësisht sistemin e furnizimit me ujë dhe prodhimin e energjisë elektrike.

“Indikacionet e para sugjerojnë se ky sulm i radhës është orkestruar nga shteti serb, i cili ka kapacitete për një sulm të këtillë kriminal e terrorist. Elemente të organizatave terroriste ‘Mbrojtja Civile’ e ‘Brigada Veriore’ dhe kryekrimineli Millan Radoiçiq nën dirigjimin e Presidentit dhe Qeverisë së Serbisë planifikojnë e ushtrohen në Serbi për sulme të këtilla profesioniste. U vu në pah edhe ndërlidhja e gjasshme me sulmet e Rusisë agresore në Ukrainë mbi kapacitetet energjetike gjatë kësaj jave duke lënë mbi një milion amvisëri ukrainase pa energji elektrike pikërisht në prag të dimrit”, u bë e ditur në njoftim.

Gjatë mbledhjes, anëtarët e Këshillit diskutuan masat emergjente që janë marrë dhe po ndërmerren për të zbutur pasojat e sulmit dhe për të garantuar sigurinë e infrastrukturës kritike në vend, derisa janë ndërmarrë hapa konkretë për të rikthyer situatën në normalitet duke siguruar qytetarët se furnizimi me ujë dhe energji elektrike do të rregullohet sa më shpejt.

Për më tepër, Këshilli i Sigurisë ka aprovuar masa shtesë për të forcuar sigurinë rreth objekteve dhe shërbimeve kritike si ura, trafostacione, antena, liqene, kanale etj.

“Policia e Kosovës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës do të aktivizohen në terren për këtë qëllim. Po ashtu është intensifikuar bashkëpunimin ndërinstitucional dhe ai ndërkombëtar për të parandaluar sulme të ngjashme në të ardhmen”, thuhet tutje në njoftim.

Kryeministri Kurti u shpreh se shteti i Kosovës është i vendosur dhe i përgatitur për t’i mbrojtur qytetarët e tij dhe infrastrukturën kritike dhe nuk do të tolerojë akte të tilla që synojnë destabilizimin e Kosovës dhe kërcënojnë paqen dhe funksionimin demokratik.

“Situata po vihet nën kontroll drejt rikthimit në normalitet. Kërkojmë nga të gjithë faktorët ndërkombëtarë që ta dënojnë këtë sulm që na shkaktoi dëmtime të mëdha”, shtoi Kurti.

Mbrëmjen e së premtes në fshatin Varagë të Zubin Potokut ndodhi një shpërthim i fuqishëm me dëme të shkaktuara në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, ku u raportua se dyshimet janë që shpërthimi ka pasur për qëllim dëmtimin e infrastrukturës kritike të Kosovës në mënyrë që të pengohet rrjedha e ujit që përdoret për ftohje në procesin e prodhimit të rrymës në termocentralet Kosova A dhe Kosova B.

Pas rastit, Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” bëri të ditur se është ndërprerë furnizimi me ujë të pijes për shkak të dëmtimit të një pjese të kanalit të Ibër-Lepencit.

Sot në mëngjes, kryeministri Kurti tha se punëtorët dhe zyrtarët e institucioneve të shtetit po bëjnë një punë të jashtëzakonshme dhe vetëmohuese në sanimin e dëmit të shkaktuar nga shpërthimi i mbrëmshëm.

TRT Balkan / agjencitë
Kjo faqe përdor cookies. Duke vazhduar të shfletoni faqen, ju pranoni përdorimin e cookies.Politika e Cookies
Pranoj