Policia e Kosovës është duke i kryer në vazhdimësi detyrat e saj në pikën kufitare në Jarinje, ndërkohë që serbët kanë paralajmëruar bllokimin e kësaj pike kufitare.
Pjesëtarët e Policisë së Kosovës janë parë të veshur me antiplumb, ndërkohë që prezentë janë edhe forcat e KFOR-it dhe EULEX-it, të cilat janë duke vëzhguar situatën.
Raportohet se një numër i vogël serbësh janë mbledhur 500 metra në largësi nga pika kufitare në pjesën e territorit të Serbisë, të cilët po qëndrojnë në një kafene aty pranë.
Policia e Kosovës po u rekomandon veturave me mërgimtarë të mos e kalojnë kufirin drejt Serbisë.
Ndryshe, kryetari i së ashtuquajturit asociacion i qytetarëve të Qarkut të Mitrovicës për Kosovë, Rasha Rojeviq, ka njoftuar se sot do të fillojë bllokada shumëditore e pikave kufitare drejt Kosovës dhe do të zgjasë derisa të tërhiqen forcat policore të Kosovës nga veriu i Kosovës.