Misioni i KFOR-it, i udhëhequr nga NATO-ja, EULEX-i dhe Policia e Kosovës, më 7 maj do të zhvillojnë një stërvitje të përbashkët në kampin Vrelo, të quajtur “Shpata e Artë 2024”.
Siç njoftoi KFOR-i, stërvitja është një mundësi për të testuar aftësinë për të aplikuar procedurat e përbashkëta të menaxhimit të krizave në skenarë të ndryshëm të sigurisë.
Stërvitja do të përfshijë një numër të konsiderueshëm personeli, automjetesh dhe mjete që operojnë në gjithë zonën e stërvitjes, në rrethinat, dhe përgjatë rrugëve kryesore të zonës.
Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutaş tha se kjo stërvitje e përbashkët simbolizon një përkushtim të fortë për paqen dhe stabilitetin në Kosovë.
“Duke bashkuar forcat dhe aftësitë tona, ne demonstrojmë gatishmërinë tonë për të përballuar sfidat dhe përkushtimin tonë për të ruajtur stabilitetin rajonal. Ne presim përfundimin me sukses të kësaj stërvitje dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm mes të gjithë të përfshirëve”, tha Ulutaş.
KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij të Kombeve të Bashkuara bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së nga viti 1999, për të ofruar një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, si dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.
KFOR-i është përgjigja e tretë e sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit, EULEX, të cilët veprojnë si përgjigjja e parë dhe e dytë e sigurisë.