Misioni Paqeruajtës i NATO-s në Kosovë (KFOR) ka mbajtur konferencë për media rreth pjesëmarrjes së trupave të tyre në protestat e tensionuara në komunat veriore të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.
Zëdhënësi i KFOR-it, kolonel Andrea Gallieni tha se pjesëtarët e KFOR-it ishin në veri të vendit që kur filluan protestat e serbëve lokalë atje, për të mos lejuar eskalimin e protestës në një kohë kur kryetarët e rinj të komunave donin të hynin brenda objekteve komunale me forcë.
Gallieni tha se më 29 maj në Zveçan u bë protestë e dhunshme dhe disa nga pjesëtarët e KFOR-it u lënduan nga gurët, mjetet shpërthyese dhe nga gjësendet e forta të hedhura nga protestuesit.
Sipas tij, shumica e protestuesve dëshironin të protestonin në mënyrë paqësore, por në mes tyre kishte edhe grupe kriminale që nxisnin veprime të dhunshme kundër forcave të KFOR-it.
"Ishte e qartë se njerëzit donin të manifestonin dhe protestonin në mënyrë paqësore. Por, po ashtu, ishte e qartë se prapa tyre fshiheshin disa grupe kriminale që vetëm përpiqeshin të sulmonin trupat e KFOR-it. Pas kësaj proteste të madhe, shumë ushtarë nga kontingjenti italian dhe hungarez u lënduan nga gurët, hekurat dhe mjetet shpërthyese. Në fillim ishin 11 nga kontingjenti italian dhe 19 nga kontingjenti hungarez. Në ditët pasuese u shfaqën edhe disa të tjerë me lëndime të vogla", theksoi Gallieni.
Ai tha se të dyja palët duhet të mbajnë përgjegjësi për veprimet në veri, njëra palë për marrjen e vendimeve pa pasur në konsideratë shkallën e sigurisë dhe pala tjetër të reagojë për veprimet e dhunshme që janë parë në mesin e protestuesve.
Ushtarët turq në veri të Kosovës
Duke folur për përforcimet e fundit të KFOR-it, me arritjen e 500 ushtarëve turq, zëdhënësi i KFOR-it tha se me shumë gjasë ata do të vendosen në veri të vendit për shkak të nevojës për të ruajtur paqen atje.
"Batalioni turk tashmë ka mbërritur në Kosovë nga 5 qershori. Në këto momente ata po integrohen dhe po ushtrojnë me pjesëtarët e tjerë të KFOR-it. Ata do të vendosen këtu për të mbështetur pjesëtarët tjerë të KFOR-it për ruajtjen e paqes dhe mënjanimin e eskalimit. Ka shumë gjasë që ata do të vendosen në veri të vendit për shkak se tani në veri është përqendrimi kryesor i KFOR-it për të siguruar situatën", tha Gallieni i cili shtoi se këta trupa do të qëndrojnë në Kosovë "deri sa të jetë e nevojshme".
Nga 29 maji, serbët lokalë në komunat veriore, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, po protestojnë për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat e komunave për të ushtruar detyrat e kryetarëve të zgjedhur me votë.
Për shkak të përshkallëzimit të situatës në këto protesta, 30 pjesëtarë të Misionit Paqeruajtës të NATO-s në Kosovë (KFOR) dhe 52 serbë lokalë u lënduan. Dhunën në veri ndaj pjesëtarëve të KFOR-it e ka dënuar rëndë menjëherë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.