Forcat e KFOR-it janë prononcuar sot zyrtarisht për incidentin e mbrëmshëm në Zubin Potok, në veri të Kosovës, kur persona të armatosur hapën të shtëna në afërsi të një patrulle të KFOR-it.
Misioni i NATO-s në Kosovë thotë se po e hetojnë ngjarjen dhe kanë planifikuar takim me të gjitha palët lidhur me këtë incident.
“Nuk kishte të lënduar ose dëme materiale, dhe po punojmë për të vërtetuar të gjitha faktet. Përderisa janë planifikuar takime me të gjitha palët, është e rëndësishme që të gjithë të përfshirët të lënë anash retorikën ose veprimet që mund të shkaktojnë tensione dhe të eskalojnë situatën”, thuhet në njoftimin e KFOR-it në Twitter.
Policia e Kosovës nga ana tjetër ka mohuar çfarëdo përfshirje në këtë incident, pavarësisht raportimeve fillestare në Beograd.
“Lojërat e Vuçiqit vazhdojnë. Fillimisht thanë se pati përleshje në Zubin Potok e inicuar nga Policia e Kosovës. Kur e kuptuan që kanë sulmuar KFOR-in, duan të mohojnë të gjitha sulmet. Barrikadat duhet të hiqen. Serbia duhet të ndalojë organizimin e strukturave ilegale kriminale që kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës”, shkruan në Twitter Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla.
Incidenti ndodhi në një atmosferë tensionesh, pasi serbët lokalë në veri të Mitrovicës kanë vendosur barrikadat për të 18-tën ditë me radhë, duke bllokuar pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak.