Komandanti i Misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR), gjeneralmajor Özkan Ulutaş ka takuar komandantin e Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli, admiralin Stuart B. Munsch.
Siç bën të ditur KFOR-i nëpërmjet një njoftimi, takimi ndodhi në Shtabin e KFOR-it, në "Camp Film City", në Prishtinë.
"Gjeneralmajor Ulutaş ilustroi aktivitetet e KFOR-it në mbështetje të sigurisë së qëndrueshme në mbarë Kosovën dhe mbështetjen e tij në procesin e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit", thuhet në njoftim.
Munsch mori rolin e tij aktual në qershor të vitit 2022 si komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate, me vendndodhje në Napoli, Itali. Në këtë cilësi, ai drejton një staf të kombinuar të NATO-s përgjegjës për planifikimin, përgatitjen dhe kryerjen e operacioneve ushtarake në të gjithë zonën e përgjegjësisë së Komandantit Suprem Aleat në Evropë.