Gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia, komandant i misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO-ja ishte në Bosnjë e Hercegovinë, ku mbajti takime të nivelit të lartë në selinë e NATO-s dhe në EUFOR ALTHEA në Sarajevë, thuhet në njoftimin e KFOR-it, në rrjetin social X.
“COMKFOR takoi komandantin EUFOR ALTHEA, MG HABERMAYER dhe komandantin e shtabit të NATO-s në Sarajevë, BG McGaha. Ata diskutuan për situatën e sigurisë në Bosnjë dhe Kosovë, duke rënë dakord për rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet NATO-s dhe BE-së në afrimin e sigurisë dhe stabilitetit në rajon”, thotë KFOR-i.
Ndryshe, një forcë e përbashkët e Policisë së Kosovës, ushtarëve të KFOR-it amerikan dhe policisë së EULEX-it patrulluan të martën (3 nëntor) një zonë të fshatit Banjskë në Kosovë.
Patrulla gjithashtu kishte një ekip mjeko-ligjor që kërkonte prova të shkëmbimit të zjarrit të javës së kaluar midis policisë kosovare dhe të armatosurve serbë, që la të vdekur një polic dhe tre persona të armatosur.
Ekipi patrulloi një shteg pranë lumit Banjska që supozohet se ishte përdorur nga personat e armatosur për t'u arratisur në Serbi pas përleshjes me armë më 24 shtator, ku mbeti i vrarë një polic i Kosovës dhe disa të tjerë u lënduan.
KFOR-i është misioni më i madh dhe më jetëgjatë i udhëhequr nga #NATO-ja në Kosovë me më shumë se 4.000 trupa nga 27 vende (21 të NATO-s dhe 6 nga partnerë).