Komshiq e Osmani për forcimin e lidhjeve miqësore mes BeH-së dhe Kosovës.                Foto: Vjosa Osmani/X

Anëtari i Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, Zheljko Komshiq, dhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, kanë diskutuar sot në Mynih për forcimin e lidhjeve miqësore mes dy vendeve.

Siç thuhet në njoftimin e Presidencës së BeH-së, të dy liderët u takuan në kuadër të Konferencës së Sigurisë së Mynihut, si vazhdim i dialogut intensiv mes bashkëbiseduesve, i cili po zhvillohet në kuadër të sfidave aktuale gjeopolitike dhe aspiratave drejt forcimit të stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal.

Të dyja palët ranë dakord për të vazhduar forcimin e lidhjeve miqësore mes dy vendeve dhe për të intensifikuar bashkëpunimin jo vetëm në atë politik, por edhe në atë ekonomik dhe të sigurisë.

Mësohet se Komshiq dhe Osmani kanë biseduar për tema kyç, si për integrimin evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor, për situatën aktuale të sigurisë dhe politike në rajon dhe në botë. Theks i veçantë u vu në nevojën e vazhdimit të dialogut ndërmjet të gjitha palëve, me qëllim të ruajtjes së paqes, stabilitetit dhe sigurisë, si dhe përshpejtimit të procesit të anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

Duke pasur parasysh sfidat e shfaqura në rajon, u theksua rëndësia e mbështetjes së ndërsjellë në luftimin e ndikimeve negative gjeopolitike që mund të rrezikojnë progresin e arritur tashmë në rajon.

Bosnja e Hercegovina është një nga vendet evropiane që nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, e cila u shpall në shkurt të vitit 2008. Ndërsa politikanët kroatë dhe boshnjakë nga BeH-ja nuk kanë asgjë kundër njohjes së Kosovës. Kundër pavarësisë së Kosovës janë deklaruar nga etniteti i BeH-së, Republika Sërpska.

TRT Balkan / agjencitë