Konkursi Kombëtar i Gjuhës Shqipe do të zgjerohet në Olimpiadë me Kosovës / Foto: ATA

Sot nisi rrugëtimin Konkursi Kombëtar i Gjuhës Shqipe, një ngjarje e shumëpritur në shkollat e Shqipërisë, që bën bashkë 11 mijë nxënës nga 930 shkolla publike dhe private nga i gjithë vendi.

Ky konkurs, në edicionin e dytë ka tërhequr një vëmendje të veçantë, pasi zhvillohet në kuadër të Vitit të Gjuhës Shqipe, një nismë e Ministrisë së Arsimit dhe të Sportit që siç deklaroi Ministrja Manastirliu, synon të vërë theksin te rëndësia e ruajtjes dhe promovimit të gjuhës shqipe.

Ministrja e Arsimit dhe e Sportit, Ogerta Manastirliu, nga shkolla 9-vjeçare “Jeronim de Rada” dha disa mesazhe dhe tha se angazhimi i mijëra nxënësve dhe qindra mësuesve është një përpjekje për lartësimin e gjuhës shqipe.

“Gjuha shqipe është ajo që gjithmonë do të na mbajë të lidhur së bashku dhe që është krenari dhe është trashëgimia jonë më e madhe”, ishte mesazhi që përcolli Ministrja Ogerta Manastirliu.

Ajo tha se Konkursi synon të zgjerohet në Olimpiadë të gjuhës shqipe bashkë me Kosovën.

“Konkursi Kombëtar i Gjuhës Shqipe për klasat e 9-ta është në kuadër Vitit të Gjuhës Shqipe, ku një seri aktivitetesh po zhvillohen në mbarë sistemin arsimor, sigurisht edhe me përpjekjet që ne jemi bërë duam që ta shtrijmë edhe përtej kufijve, pra të kemi edhe një Olimpiadë të Gjuhës Shqipe së bashku me Kosovën”, tha Manastirliu.

Përmes kësaj nisme, nxënësit inkurajohen të zhvillojnë dhe të shprehin dashurinë e tyre për gjuhën shqipe, duke u bërë ambasadorë të saj brenda dhe jashtë kufijve të vendit.

TRT Balkan / agjencitë