Prokuroria Speciale e Kosovës njofton se pas zhvillimit të hetimeve disamujore, sot në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe AKI-në, ka zhvilluar bastisje në dy lokacione të Kosovës dhe ka arrestuar dy persona me nënshtetësi kosovare, të dyshuar për kryerjen e veprës penale spiunimi.
Prokuroria ndaj të dyshuarve ka nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh dhe ndaj të njëjtëve do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore.
Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi janë personat e arrestuar sot nën dyshimin për spiunim për agjencinë e inteligjencës serbe BIA.
Arrestimi i tyre është bërë i mundur pas zbulimit nga Agjencia Kosovare e Inteligjencës.
Policia ka vazhduar me bastisjen e pronave të dy të dyshuarve, të cilët dyshohet se për shumë vjet kanë bashkëpunuar me strukturat e inteligjencës serbe.
Njëri prej të arrestuarve ka qenë zyrtar doganor gjatë viteve 90-99, derisa pas luftës ka vazhduar të ushtrojë funksionin e doganierit gjatë periudhës së administrimit të UNMIK-ut në Kosovë.