Kosova dënon “përpjekjet e Serbisë” për ta ndaluar donacionin për në Luginë           / Foto: AA

Qeveria e Kosovës ka dënuar ashpër “përpjekjet e autoriteteve serbe” për të ndaluar donacionin e dedikuar për subvencionimin e bujqve shqiptarë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Zv/kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, nëpërmjet një reagimi në rrjetet sociale bëri të ditur se ky donacion, i iniciuar me kërkesë të Këshillit Kombëtar Shqiptar synon të përmirësojë jetën e komunitetit shqiptar dhe të mbështesë zhvillimin ekonomik të rajonit, siç tha ai, duke marrë parasysh se edhe më tej komunat e Luginës së Preshevës janë ndër komunat "më të pazhvilluara në Serbi dhe ndër më të varfrat me papunësi të lartë, veçanërisht tek të rinjtë".

“Më 26 tetor 2024, Këshilli Kombëtar Shqiptar shpalli thirrjen publike për bujqit, duke pranuar mbi 1,178 aplikime. Ndërkohë, Ministria e Serbisë për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave dhe Dialog Social ka ndërhyrë për të bllokuar këtë proces, duke kërkuar anulimin e vendimit për thirrjen publike. Pikërisht më 10 dhjetor, në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë i është mbivendosur privimi nga mundësia e ndihmës nga Republika e Kosovës”, theksoi Bislimi.

Zv/kryeministri kosovar tha se Serbia nuk ka asnjë të drejtë të pengojë mbështetjen e palës kosovare për shqiptarët e Luginës së Preshevës.

“Ftojmë Bashkimin Evropian, OSBE-në, shtetet e Quint-it dhe organizatat e tjera ndërkombëtare të monitorojnë këtë situatë dhe të veprojnë për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës”, theksoi Bislimi.

Tutje, ai tha se Qeveria e Kosovës qëndron e përkushtuar për të ndihmuar shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe për të mbrojtur të drejtat e tyre dhe identitetin kombëtar, kulturor e gjuhësor.

Gjatë ditës, kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSh) në Luginën e Preshevës, Nevzad Lutfiu, tha se ministria serbe i ka kërkuar KKSH-së ta anulojë konkursin.

“Ministria në fjalë kërkon që konkursi të anulohet, nëse ne nuk e shfuqizojmë këtë vendim atëherë atë do ta bëj vet ministria, me pretekstin se vendimi është i jashtëligjshëm, thuhet në kundërpërgjigjen e ministrisë”, shkroi Lutfiu.

Megjithëkëtë, ai tha se këshilli nuk do ta shfuqizojë konkursin, duke shtuar se “pas konsultimit me Qeverinë e Kosovës do të njoftoheni me hapat e mëtutjeshëm”.

TRT Balkan / agjencitë