Kosova dhe Britania e Madhe thellojnë bashkëpunimin në mbrojtje/         Foto:  Ejup Maqedonci/FB

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës Ejup Maqedonci dhe ministri i Forcave të Armatosura të Britanisë së Madhe Leo Docherty nënshkruan memorandumin e mirëkuptimit ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës, Ministrisë së Mbrojtjes së Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut.

Sipas njoftimit të ministrit Maqedonci, i cili po qëndron për vizitë në Londër, marrëveshja do të formësojë edhe më tej bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve, ndrësa përfshin koordinimin për mbështetjen e integrimit të Kosovës në NATO, realizimin e ushtrimeve dhe trajnime të përbashkëta.

“Marrëveshja, e cila do të formësojë edhe më tej bashkëpunimin e shkëlqyeshëm bilateral në fushën e mbrojtjes ndërmjet dy vendeve, përfshin koordinimin për mbështetjen e integrimit të Kosovës në NATO, realizimin e ushtrimeve dhe trajnime të përbashkëta, mbështetje dhe trajnime për operacione ndërkombëtare dhe misione ushtarake, si dhe shkëmbim përvojash në fusha të tjera”, shkroi ministri kosovar, Maqedonci.

Maqedonci shtoi se Ministria e Mbrojtjes e Kosovës është mirënjohëse ndaj Britanisë së Madhe për mbështetjen e pakursyer dhe të vazhdueshme në zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës.

TRT Balkan / agjencitë