Kryediplomatija e Kosovës, Donika Gërvalla – Schwarz dhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.     Foto: AA

Kosova dhe Gjermani nënshkruan marrëveshje për varret gjermane të Luftës së Dytë Botërore në territorin e Republikës së Kosovës. Nënshkrimet mbi këtë marrëveshje i vendosën kryediplomatija e Kosovës, Donika Gërvalla – Schëarz dhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.

Me këtë marrëveshje sipas ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Kosovës synohet të vendoset një rregullim përfundimtar për varret gjermane të luftës që ndodhen në territorin sovran të Republikës së Kosovës dhe të sigurohet ruajtja dhe mirëmbajtja e këtyre varreve në mënyrë të denjë dhe sipas dispozitave të së drejtës humanitare ndërkombëtare në fuqi.

“Për të arritur këtë Republika Federale e Gjermanisë, ndër tjerash, e ka mundësinë të mirëmbajë varret gjermane të luftës dhe varrezat gjermane të luftës në Kosovë me shpenzimet e veta, t’i përqendrojë në një vend varret e të vdekurve gjermanë të luftës dhe të realizojë zhvarrosjen dhe zhvendosjen e nevojshme për këtë si dhe të ndërtojë përmendore në një formë të thjeshtë dhe të denjë në vendet e këtyre varrezave, në të cilat zhvarrosja e të vdekurve gjermanë nuk është më i mundur", thonë nga MPJD.

Më mënyrë përkrahëse, Kosova është zotuar ndër të tjera për mbrojtjen e varreve gjermane të luftës dhe garantimin e prehjes së përhershme për të vdekurit gjermanë të luftës në territorin e saj sovran si dhe për lënien në dispozicion pa shpenzime të trojeve që shërbejnë si varreza gjermane të luftës.

Me zbatimin e detyrave do të ngarkohet Lidhja kombëtare për ruajtjen e varreve gjermane të luftës (Volksbund), së cilës Kosova i ka siguruar mbështetje gjithëpërfshirëse gjatë realizimit.

Lidhur me këtë, Sekretari i Përgjithshëm i Volksbund-it deklaroi se janë të lumtur që puna e tyre në Kosovë tashmë ka marrë formë kontraktuale dhe mund të fillojnë.

"Ne kemi njoftime të hapura për rreth 900 vendvarrime, të cilat do t'i shqyrtojmë në muajt dhe vitet në vijim. Për këto operacione ne e kemi trajnuar personelin tonë. Aktualisht jemi njoftuar për gjetje të eshtrave në një vend afër Stanovcit që do ta ekzaminojmë. Me anë të kësaj bëhet e mundur që më shumë se 75 vjet pas luftës të sqarojmë identitetin e të vdekurve dhe t'i njoftojmë familjet lidhur me fatin e tyre. Ky vërtetë është një zhvillim i mirë për të ardhmen”, theksoi sekretari.

Pas nënshkrimit, marrëveshja tani i nënshtrohet procedurave përkatëse kombëtare për ratifikim.

Ambasadori Rohde falënderoi ministren Gërvalla-Schwarz për nënshkrimin e marrëveshjes, duke e vlerësuar atë si vetëm një tjetër hap drejt forcimit të marrëdhënieve kosovaro-gjermane.

AA