Kosova dhe Luksemburgu kanë intensifikuar marrëdhëniet përmes marrëveshjes së bashkëpunimit për zhvillim, në vlerë prej 35 milionë euro.
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe ministri i Ekonomisë i Luksemburgut, Franz Fayot, kanë nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit për zhvillim dhe memorandumin e mirëkuptimit për zbatimin e marrëveshjes.
Bislimi në një konferencë për media tha se me marrëveshjen dypalëshe, Kosova dhe Luksemburgu po e vendosin kornizën e përbashkët për sa i përket bashkëpunimit për zhvillim mbase përgjatë gjithë dekadës, edhe pse memorandumi përcakton fondet vetëm për periudhën 2023-2025.
"Fushat e intervenimit që do të përkrahen nga Luksemburgu i kemi përcaktuar pas diskutimeve intensive mes ekipeve tona dhe ekipit të ministrit. Ato përfshijnë këto prioritete që i ka Qeveria e Kosovës: arsimi, sidomos arsimi profesional, shëndetësia, rritja ekonomike e qëndrueshme, zhvillim i mëtejmë i shoqërisë civile dhe fusha e inovacionit. Shuma aktuale indikative që parashihet me këtë marrëveshje si përkrahje nga shteti i Luksemburgut për Qeverinë e Kosovës për këto tri vite është 35 milionë euro apo afërsisht 12 milionë euro për secilin vit, që përbën rritje të konsiderueshme në raport me programin e mëparshëm që kishte një shumë vjetore prej 7.5 milionë euro", tha ai.
Bislimi ka thënë se synim afatgjatë i Kosovës është që të thellohet partneriteti mes Luksemburgut dhe të fokusohet në bashkëpunim më të ngushtë ekonomik dhe zhvillimor.
Ai ka thënë që e kanë diskutuar mundësinë që në disa prej aktiviteteve ekonomike në Luksemburg ku ky shtet ka mungesë të kapaciteteve humane, të përshtaten me një lloj angazhimi nga distanca me talentët që ka Kosova.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes për bashkëpunim ministri i Ekonomisë i Luksemburgut, Franz Fayot theksoi se duhet shikuar për një fushë të re të bashkëpunimit përmes së cilës do të mundësohet integrimi i sektorit privat.
“Shkëmbimet e para janë zhvilluar nga të dyja palët, si me vizitat tona këtu, ashtu edhe delegacioni që ka vizituar Luksemburgun para disa kohe. Duhet të shikojmë drejt delegacionit kosovar në Luksemburg dhe një të ardhme të afërt të bashkëpunimit do të bazohet në kërkesa dhe nevojë të identifikuar në tregun e gjelbër, sidomos sa i përket rritjes të eko-sistemit të bizneseve të reja, Luksemburgu mund t’ia ofrojë këtë mbështetje Kosovës në këtë fushë. Memorandumi për bashkëpunim përfshin po ashtu fondet për inovacion dhe një shumë shtesë për nevojat e paraqitura duke pasur parasysh aspiratat Evropiane të Republikës së Kosovës si dhe tranzicionin e gjelbër dhe digjital”, tha ai.
Po ashtu tha se ndihma e Luksemburgut do të vazhdojë të mbështesë gjithashtu shoqëritë civile të Kosovës
21 Kor 2022
Kosova dhe Luksemburgu intensifikojnë bashkëpunimin
Arsimi profesional, shëndetësia, rritja ekonomike e qëndrueshme, zhvillim i mëtejmë i shoqërisë civile dhe fusha e inovacionit janë sferat ku në tre vitet e ardhëshme do të investohen 35 milionë euro
Kosova Press
Lajme të ngjashme
Kosova: KE-ja arriti pajtim për mandatin negociues për udhëtimin pa viza
Kosova sipas KE-së ka bërë progres tejet të rëndësishëm në të gjitha stacionet e kushteve për liberalizmin e vizave përfshirë edhe fushat e sigurisë së dokumenteve, kufijve, migrimit, rendit publik, dhe të drejtatlidhur me lirin e lëvizjes.
Borxhi i jashtëm: Kosova më së miri, keq në Mal të Zi e Maqedoni të Veriut
Borxhi i jashtëm i Malit të Zi e kalon, ndërsa i Maqedonisë së Veriut i afrohet nivelit kritik prej 60% në raport me Prodhimin Bruto Vendor, pa përfshirë borxhin e brendshëm. Kosova, nga ana tjetër, ka më së paku borxhe në rajon.
Artikujt në këtë kategori
Fico-Vuçiq në Beograd: Sllovakia dhe Serbia mund të mbështeten mes vete
"Serbia me të vërtetë e meriton ndihmën e Bashkimit Evropian në këtë fushë sepse është kërkuese dhe e kushtueshme", tha Fico dhe shtoi se Serbia e ndihmoi dhe po e ndihmon BE-në në migrim në atë mënyrë që pak vende të tjera mund ta bënin.
Çfarë tjetër do të donit të dinit?
Popullore