Kosova dhe Serbia janë pajtuar për zbatimin e plotë të deklaratës së përbashkët për personat e zhdukur gjatë luftës.
Kjo marrëveshje u arrit në Bruksel, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE), midis kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe kryenegociatorit të Serbisë, Petar Petkoviq.
Pas përfundimit të takimit trepalësh, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, konfirmoi se është arritur pajtim për zbatimin e plotë të deklaratës për personat e zhdukur.
“Jemi marrë vesh që të pranohet versioni i dhjetorit i termave të referencës për komisionin e përbashkët, kur Serbia kishte paraqitur pengesa dhe si duket tani i ka tërhequr ato, prandaj mendoj se tani mund të ecim tutje ku gjatë muajit të ardhshëm do të mbahet mbledhja e parë e këtij komisioni të përbashkët”, u shpreh ai.
Sipas Bislimit, ka premtime nga ana e Serbisë se nuk do të ketë tendenca për pengimin e punës së këtij komisioni të përbashkët, i cili do të fillojë të merret me këto çështje që nga janari.
Në vitin 2023, Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për Deklaratën e përbashkët për personat e zhdukur, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, të ndërmjetësuar nga BE-ja.
Palët në këtë deklaratë u zotuan për qasje të plotë në informacione të besueshme, mes tyre edhe ato me status të klasifikuar, vënien në dispozicion të të gjitha dokumenteve me rëndësi për përcaktimin e fatit të personave të zhdukur, si dhe për punën e përbashkët përmes një komisioni të kryesuar nga BE-ja.
Por, deri më tani, asnjë prej këtyre nuk është realizuar në praktikë.
Në Kosovë ende nuk dihet fati i rreth 1.600 personave të zhdukur që nga periudha e luftës së fundit.
Tutje, zv/kryeministri Bislimi tha se i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka dënuar sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit në veri të Kosovës dhe po ashtu ka treguar që BE-ja është e gatshme të ndihmojë në hetimin e plotë të këtij rasti.
Për herë të fundit, Bislimi dhe Petkoviq u takuan në muajin tetor, ku nuk u arrit ndonjë rezultat konkret drejt zbatimit të marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit.