Tetë medalje të arta individuale dhe një ekipore, si dhe shumë të argjendta e të bronzta, këto janë arritjet e skuadrës dardane në Kampionatin Ballkanik të xhudos, që u zhvillua më 2 dhe 3 shtator në Pejë.
Shkëlqimi i xhudistëve si Distria Krasniqi, Nora Gjakova, Loriana Kuka, Akil Gjakova, Luara Fazliu e të tjerë edhe ishte pritur, por befasia erdhi edhe nga shumë xhudistë të rinj.
Në këtë kampionat që u zhvillua në palestrën e sporteve “Karagaç”, në Pejë, morën pjesë 11 shtete si: Kosova, Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Bullgaria, Türkiye, Qipro, Greqia, Moldavia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Rumania.
Pas Kampionatit Ballkani, Kosova do ta organizojë edhe Kampionatin Evropian të Xhudos që do të zhvillohet në muajin dhjetor.
Suksesi ndërkombëtar i xhudisteve kosovare
Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi janë emrat të cilat kanë shkruar historinë e Kosovës në aspektin sportiv në arenën ndërkombëtare.
Gjatë karrierës Majlinda Kelmendi ka fituar çdo gjë që mund të fitohet, përfshirë të artën olimpike në Rio de Janeiro në vitin 2016, dy të arta botërore e një të bronztë, dhe tri të arta evropiane e një të bronztë.
Po ashtu, kulmi i suksesit për dy xhudistet e tjera kosovare Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi ka qenë momenti i shpalljes kampione olimpike në kategoritë e tyre përkatëse në Lojërat Olimpike Veriore në Tokio gjatë vitit 2021.
Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi në fund të vitit 2021 arritën që të renditen si dy xhudistet më të mira në ranglistën botërore në kategoritë e tyre përkatëse.