Është mbajtur në Bruksel takimi i tretë Kosovë-Serbi në nivel kryenegociatorësh për të gjetur një zgjidhje rreth çështjes së vazhdimit të mbështetjes financiare të Serbisë për komunitetin serb në Kosovë pas ndalimit të përdorimit të dinarit serb në Kosovë.
I emëruari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, pas takimit tha se u arrit që në këtë takim “të mbushim disa boshllëqe midis propozimeve të të dyja palëve” dhe se diskutimet do të vazhdojnë së shpejti bazuar në idetë e BE-së për kompromis.
Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, i cili përfaqësoi Kosovën në këtë takim, ka thënë se propozimet e Kosovës për zgjidhje kanë qenë që nga fillimi brenda Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) dhe në pajtim me legjislacionin e Republikës së Kosovës.
Bislimi tha se në këtë mes edhe propozimi i Bashkimit Evropian konsiderohet si propozim konstruktiv dhe në drejtimin e duhur.
“Fatkeqësisht, edhe sot kemi pasur dallime të mëdha. Përderisa pala kosovare ka diskutuar për opsionet se si qytetarët serb mund të marrin mbështetjen financiare edhe më tej nga Serbia, pala serbe kanë punuar si avokatët e 'Postanska Banka' dhe gjithë kohës kanë diskutuar se si të rregullohet licensimi i kësaj banke, e cila nuk është as kompetencë e as interes i palëve të përfshira”, theksoi zv/kryeministri Bislimi pas takimit.
Bislimi tutje tha se duke parë pamundësinë e arritjes së një kompromisi, Lajçak ka nxjerrë një propozim nga ana e tij “për të cilin ne besojmë se është propozim konstruktiv dhe në rrugën e duhur për të gjetur një zgjidhje e cila më së shumti u përshtatet qytetarëve serbë në Kosovë”, por me të nuk është pajtuar pala serbe.
“Prapë pala serbe nuk ka qenë e gatshme që të reflektojë në këtë propozim dhe kanë kërkuar kohë shtesë”, shtoi Bislimi.
Ai theksoi se ligjërisht në Kosovë nuk ka “Postanska Banka” dhe një nga parimet e dakorduara është zgjidhja të sigurojë legjitimitet në tërësinë e saj, rrjedhimisht, diçka që nuk është legjitime nuk mund të jetë pjesë e zgjidhjes.
Takimi i radhës pritet të mbahet pas dy javëve përsëri në Bruksel.
Ky takim ishte vazhdimësi e dy takimeve paraprake gjatë marsit ku Kosova dhe Serbia u pajtuan për të propozuar zgjidhje për çështjen e vazhdimit të mbështetjes financiare të Serbisë për serbët e Kosovës.
BQK-ja me rregulloren e saj të re të miratuar gjatë muajit janar e bëri të ndaluar operimin me para të gatshme me ndonjë valutë tjetër përpos euros, gjë e cila preku më së shumti komunitetin serb të Kosovës, të cilët ende marrin paga dhe pensione nga Serbia me dinarë.