Takimi mes kryenegociatorëve të Kosovë dhe Serbisë me ndërmjetësin e Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak, për çështjen e dinarit serb në Kosovë, ka përfunduar pa marrëveshje.
Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha pas takimit ka thënë se ka nevojë edhe për një takim tjetër, pasi, sipas tij, propozimet e palëve për çështjen e dinarit janë larg njëra-tjetrës. Sipas tij, zgjidhja ekziston, por duhet vullnet politik.
“Ne jemi në kërkim të një zgjidhjeje praktike që nuk ka asgjë simbolikë, por e ka qytetarin në fokus kryesor, por unë kisha dashur që të mos dëmtohen negociatat duke nxjerrë detaje nga propozimet e të dyja palëve”, është shprehur Bislimi.
Pala e Kosovës, sipas tij, ka nxjerrë një propozim shumë konstruktiv që mundëson që mbështetja financiare të shkojë te përdoruesit final pa u lënduar në asnjë moment Rregullorja e BQK-së dhe legjislacioni në fuqi.
Kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, tha se propozimi i Prishtinës nuk çon drejt një zgjidhjeje kompromisi.
"Ne e kemi paraqitur propozimin tonë, Prishtina ka paraqitur propozimin e saj. Propozimi ynë është i balancuar, merr parasysh interesat e popullit serb në Kosovë dhe është bërë në marrëveshje me ekspertët tanë. Në anën tjetër, ju keni propozimin e Prishtinës, për të cilin nuk do të doja të flisja tani, mjafton të them se ana tjetër nuk bënë as përpjekjen më të vogël që ajo letër mund të quhet propozim, që shkon në drejtimin e një zgjidhjeje kompromisi", tha Petkoviq.
Negociatat do të vijojnë me një takim tjetër në Bruksel javën e ardhshme.