Kosova fiton 21 projekte nga BE-ja në fushën e arsimit.     Foto: Tomáš Szunyog/Twitter

Kosova është përfituese e 21 projekteve nga Komisioni Evropian (KE) për vitin 2022 në fushën e ngritjes së kapaciteteve në arsimin e lartë, arsimin profesional dhe programin "Jean Monnet" i cili mbështet mësimdhënien, mësimnxënien dhe hulumtimet.

Në një konferencë për media të mbajtur nga ministrja e Arsimit, e Shkencës dhe e Teknologjisë (MAShT) dhe ambasadori i Bashkimit Evropian (BE), Tomas Szunyog, u bë e ditur se këtë vit Kosova ka shënuar 30 për qind rritje të përfitimit nga programet e BE-së në arsim.

Ministrja e Arsimit, e Shkencës dhe e Teknologjisë, Arbërie Nagavci, tha se viti 2022 me 21 projekte të përfituara nga KE-ja është viti më i suksesshëm me rritjen më të madhe të përfitimit nga programi Erasmus +.

Deri në vitin 2020 institucionet e arsimit të lartë në Kosovë kanë fituar 38 projekte për ngritjen e kapaciteteve në arsimin e lartë, 508 projekte për shkëmbime afatshkurtra të kredive dhe dy projekte të përbashkëta për master.

"Për thirrjen e vitit 2022 për financim nga KE-ja Kosova përfitoi gjithsej 21 projekte, prej tyre 11 për ngritjen e kapaciteteve të arsimit të lartë, një projekt 'Jean Monnet' dhe nëntë projekte në fushën e arsimit profesional. Ndonëse nga viti 2015 në vazhdimësi që nga fillimi i programit Erasmus + në Kosovë, Kosova ka pasur progres në përfitimin e mobiliteteve dhe projekte me 20 apo 30 për qind nga viti në vit", tha Nagavci.

Ajo tha se ndërkombëtarizimi i arsimit të lartë është shumë i rëndësishëm dhe këtë vit mundësitë e institucioneve, akademikëve, studentëve, por edhe stafit në arsimin profesional janë shumë të mëdha për përfitimin e fondeve të cilat më pas do të çojnë në zhvillim të përgjithshëm në Kosovë.

Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, tha se Erasmus + ka qenë programi më i suksesshëm në historinë e BE-së për 35 vite dhe ka mbështetur miliona studentë dhe staf akademik për t'i përmirësuar shkathtësitë dhe ekspertizën e tyre.

Szunyog tha se BE-ja ka investuar këtë vit gjithsej 14.7 miliardë euro në kornizë të programeve për arsim, aftësim, për rininë dhe sportin për periudhën nga 2021 deri në 2027.

"Fatmirësisht Kosova arriti t’i bashkëngjitet programit Erasmus + në vitin 2015 dhe t'i marrë mundësitë që ofron. Nga viti 2015 deri në vitin 2020, 3.880 studentë dhe staf akademik kanë udhëtuar në Evropë për studime dhe 2.070 janë kthyer në Kosovë nëpërmjet programeve të mobilitetit ndërkombëtar të programit Erasmus +”, theksoi Szunyog i cili shtoi se këta studentë janë kthyer me perspektivë të freskët dhe motivim të rritur për të kontribuuar në zhvillimin social dhe ekonomik të Kosovës.

Sipas tij, shkathtësitë që fitojnë studentët kosovarë nëpërmjet programeve të BE-së janë shumë të nevojshme për tregun në Kosovë.

Ambasadori bëri thirrje që të gjitha shtresat e Kosovës ta shfrytëzojnë mundësinë e studimit në vendet e BE-së, në veçanti gratë, të rinjtë me aftësi të kufizuara dhe të rinjtë që u takojnë komuniteteve pakicë.

AA