Kosova hap për qarkullim pikën kufitare në Bërnjak.     /Foto: Reuters

Është hapur për qarkullim pika kufitare veriore në Bërnjak midis Kosovës dhe Serbisë.

Këtë e ka bërë të ditur për agjencinë Anadolu zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Veton Elshani.

"Sot në orën 8 të mëngjesit është hapur pikëkalimi kufitar në Bërnjak ndërsa vazhdon të mbetet i mbyllur pikëkalimi në Jarinjë", theksoi Elshani.

Këto pika kufitare u mbyllën për qarkullim pas sulmit të së dielës nga një grup i armatosur rëndë, i cili u ballafaqua me armë me Policinë e Kosovës, ku i vrarë mbeti rreshteri policor Afrim Bunjaku.

Elshani tha se Jarinja vazhdon të jetë e mbyllur për shkak të hetimeve në terren në këtë rajon dhe se ende nuk ka urdhër për hapjen e kësaj pike kufitare.

Më 24 shtator nga një sulm i një grupi të armatosur rëndë ndaj njësiteve policore të Kosovës u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku dhe 4 pjesëtarët e këtij grupi.

Përgjegjësinë për organizimin e këtij grupi e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetari i partisë më të madhe serbe në Kosovë, Listës Serbe.

TRT Balkan / agjencitë