Zv/kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka reaguar pas vendimit të Serbisë për ta shkurtuar buxhetin e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës.
Nëpërmjet një reagimi në rrjetet sociale, zv/kryeministri Bislimi thekson se shqiptarët në Luginën e Preshevës janë minoriteti më i diskriminuar në Evropë, ndërsa Bashkimi Evropian (BE) “nuk po e sheh këtë si veprim të njëanshëm të Serbisë”.
“Kështu duket minoriteti më i diskriminuar në Evropë. Spastrimi etnik nëpërmjet metodave administrative, tash po vazhdohet edhe me shkurtimin e buxhetit të Këshillit Kombëtar Shqiptar. Por, ndoshta BE-ja ende nuk e sheh këtë si veprim të njëanshëm të Serbisë. Prandaj, nuk ka nevojë për përshtatje dhe nuk ka shqetësim për implikimet për popullatën shqiptare. Kosova dënon padrejtësinë e Serbisë ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Ne qëndrojmë të fortë dhe të vendosur për të luftuar për barazi dhe trajtim të drejtë”, shkroi Bislimi.
Në fillim të kësaj jave, kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, Nevzad Lutfiu, njoftoi se Qeveria e Serbisë ka ulur për mbi 1 milion dinarë buxhetin për këtë këshill për vitin 2024.
“Ministria për të Drejtat e Njeriut dhe të Minoriteteve në vend që të rrisë buxhetin për Këshillin Kombëtar Shqiptar për vitin 2024, e ka ulur atë për mbi 1 milion dinarë. Buxheti për institucionin tonë do të duhej të rritej për shkak regjistrimit të popullsisë në vitin 2022, kjo jo që nuk u mor parasysh, përkundrazi e ulën buxhetin”, ka shkruar Lutfiu, duke shtuar se ky vendim e vështirëson jashtëzakonisht shumë funksionimin e KKSh-së.
Këshillit Kombëtar Shqiptar është organ përfaqësues i pakicës nacionale shqiptare në Serbi, përmes të cilit pjesëtarët e pakicës kombëtare shqiptare ushtrojnë të drejtat e tyre në vetëqeverisjen e pakicës në fushat e kulturës, arsimit, informimit, si dhe përdorimit zyrtar të gjuhës dhe të shkrimit shqip.
Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë në Serbi, gjatë vitit 2022 shqiptarët në këtë vend janë pakica e katërt më e madhe kombëtare me mbi 61 mijë banorë.