Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë ka nënshkruar marrëveshje për projektin "Efiçienca e energjisë në ndërtesat publike të Kosovës", me qëllim të kursimit të energjisë elektrike, raporton Anadolu.
Në nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje morën pjesë Ministri i Financave, i Punës dhe i Transfereve, Hekuran Murati, dhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.
"Ky hap ndikon drejtpërdrejt në përmirësimin e kushteve për qytetarët që i shfrytëzojnë shërbimet nga ky investim, nga këto ndërtesa, sepse ideja është që të bëhet një investim në rreth 400 ndërtesa publike, në mënyrë që ato të izolohen dhe të rriten masat e efiçiencës në to", theksoi Murati.
Ministri Murati tha se kredia nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh) për këtë projekt është 50 milionë euro, ndërsa në total ky projekt i bashkëfinanciuar me Qeverinë e Kosovës kap shifrën e 86 milionë eurove. Në këtë shumë përfshihet edhe një grant investimi me vlerë prej 20 milionë euro ku kontribues janë Bashkimi Evropian (BE) dhe Fondi Danez në Kosovë.
Sipas Muratit, objektivi kryesor për këtë bashkëpunim është përmirësimi i efiçiencës së energjisë, kushte më të mira, kursim të energjisë dhe reduktim të gazrave serrë.
"Stoku i ndërtesave në Kosovë konsumon mbi 40 për qind të totalit të energjisë"
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se Kosova konsumon sot mesatarisht katër herë më shumë energji për një njësi të bruto-produktit vendor të prodhuar, në krahasim me mesatarën e BE-së.
Rizvanolli tha se në kuadër të këtij konsumi enorm, stoku i ndërtesave në Kosovë konsumon mbi 40 për qind të totalit të energjisë që konsumohet në vend.
"Kjo e vë në perspektivë se sa e rëndësishme është që ndërtesat tona të jenë të izoluara mirë dhe të kenë masat e efiçiencës në mënyrë që konsumi i gjithëmbarshëm në vend të ulet dhe ta lehtësojë edhe sistemin tonë elektroenergjetik, mirëpo, edhe koston e financimit të këtij konsumi", theksoi Rizvanolli.
Rizvanolli tha se gjatë inspektimit të disa prej ndërtesave publike, kanë parë spitale të mbushura me myk, çati të shkollave që pikojnë dhe probleme të tjera.
Ajo tha se tash e katër vjet, Ministria e Ekonomisë në bashkëpunim me Fondin për Efiçiencë të Energjisë ka përfunduar 125 objekte publike në 21 komuna në të cilat konsumi i energjisë ishte enorm.