Kosova kërkon nga Jordania mbështetje për njohje nga vendet arabe.    /Foto: AA

Sipas njoftimit nga Zyra e Presidentes, presidentja Osmani e ka falënderuar Jordaninë për mbështetjen që nga viti 1999 në vazhdimësi, sikurse edhe në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND).

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron në New York, ku po mbahet sesioni i 78-të i Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, është takuar me Mbretin e Jordanisë, Abdullahu II.

Sipas njoftimit nga Zyra e Presidentes, presidentja Osmani e ka falënderuar Jordaninë për mbështetjen që nga viti 1999 në vazhdimësi, sikurse edhe në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND).

Në këtë kontekst, Osmani ka shtruar nevojën e mbështetjes së mëtejme nga Mbretëria e Jordanisë në përpjekjet e Kosovës për të siguruar anëtarësime në organizata ndërkombëtare dhe njohje nga vendet arabe.

Presidentja Osmani dhe Mbreti Adullah II në takim diskutuan për situatën aktuale në Kosovë dhe rajon, ndërkohë që të dyja palët riafirmuan përkushtimin për paqe e stabilitet.

Sipas Osmanit, ndërmjet të dyja shteteve ka potencial për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes. Në këtë kontekst, ajo përmendi faktin se një ekip ushtarësh jordanezë janë trajnuar së fundmi në qendrën kosovare të trajnimit të Kërkimit dhe Shpëtimit.

Më tej, Osmani tha se Kosova është e interesuar të zhvillojë marrëdhënie të ngushta me Jordaninë në fusha me interes të ndërsjellë, si ekonomia, tregtia, mbrojtja, kultura, arsimi dhe turizmi. Të dy liderët shprehën optimizmin për të ardhmen e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve.


TRT Balkan / agjencitë