Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka kërkuar nga Serbia që të dorëzojë në Kosovë terroristët që sulmuan Policinë e Kosovës, përfshirë edhe gjashtë prej tyre të cilët po trajtohen në spitalin e Novi Pazarit.
Sveçla tha se sulmi i djeshëm terrorist me urdhër të Beogradit në Banjskë të Zveçanit ka dështuar, falë profesionalizmit të Policisë së Kosovës. Ai konfirmoi se asnjë civil nuk është lënduar nga ky aksion.
“Asnjë person civil nuk është lënduar nga ky aksion, e sipas informatave të deritashme, 6 terroristë të plagosur po trajtohen në spitalin e Novi Pazarit. Kërkojmë nga Serbia ata t’ua dorëzojë menjëherë autoriteteve të Kosovës që t’iu përgjigjen drejtësisë për aktet e tyre terroriste. Po ashtu, edhe çfarëdo pjesëtari i këtij grupi që ka arritur të ikë në Serbi, kërkojmë nga Serbia t’i dorëzojë”, tha Sveçla.
Ministri i Brendshëm në konferencë për medie të hënën tha se në këtë sulm terrorist dëshmohet se ka qenë i përfshirë edhe Millan Radonjiq.
Sipas Sveçlës, plani i Serbisë ishte përshkallëzimi i situatës, por ka dështuar sipas tij.